Aktualitet UKT njofton qytetarët për kufizim oraresh në furnizimin me ujë gjatë fundjavës

UKT njofton qytetarët për kufizim oraresh në furnizimin me ujë gjatë fundjavës

Ujësjellësi i Tiranës njoftoi se gjatë fundjavës kryeqyteti do të përballet me kufizime të furnizimit me ujë dhe i bëri thirrje qytetarëve të marrin masa.

Kufizimi do të vijë për shkak të punimeve për të futur në punë një investim të ri të UKT në Bovillë.

“Linja e re e transmetimit, e cila lidh Ujëmbledhësin e Bovillës me Impiantin e trajtimit të ujit në Bovillë ka përfunduar, ndërsa tashmë mund të bëhen edhe lidhjet përfundimtare të pikave të takimit,” njofton UKT.

“Linja në fjalë është parashikuar që të dyfishojë sasinë e ujit që pritet të shkojë për trajtim në impiantin në fjalë. Sipas parashikimeve të bëra, kjo linjë dhe kapaciteti që ajo ka, pritet të shtojë ndjeshëm furnizimin e orarit me ujë të pijshëm për pjesën më të madhe të Tiranës”, thuhet në deklaratën e Ujësjellësit.

Tirana ka një popullsi prej 906.166 banorësh sipas të dhënave të fundit të INSTAT dhe mban peshën më të madhe të dendësisë së popullsisë me 31,8 për qind të numrin të shtetasve në rang kombëtar.

Furnizimi me ujë të pijshëm mbetet një sfidë për kryeqytetin në zgjerim, ndërsa autoritetet prej vitesh përpiqen ta stabilizojnë atë dhe të heqin përmes furnizimit 24-orësh depozitat në pallate.

Prej vitit 2017, Enti Rregullator i Ujit miratoi rritjen e çmimit të furnizimit me ujë për familjet e Tiranës të cilat paguajnë aktualisht 65 lekë/m3.