Aktualitet Veliaj: Të mos ketë asnjë njeri iluzione, teatri i ri do të...

Veliaj: Të mos ketë asnjë njeri iluzione, teatri i ri do të bëhet

Pavarësisht vijimit të protestave kundër prishjes se Teatrit Kombëtar, Kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak se godina do të shembet dhe se nuk ka kthim pas.

“Të mos ketë asnjë njeri iluzione, teatri i ri do të bëhet. Ne do të japim parkingun e Bashkisë, komplet i pavlerë. Në shkëmbim të një prone që nuk ka pikë vlere do të marrim një teatër që vlen minimalisht 30 milionë euro”, tha Veliaj.

Sipas tij, e gjithë procedura është zhvilluar përmes një transparence të plotë. “Atyre që po lodhen aty te teatri ne i themi “ruajini energjitë” sepse ne do t’i bëjmë gjërat sipas procedurave. Donit garë, garë bëmë. Donit komision, komision bëmë. Donit sipas Bashkimit Europian, pavarësisht se na lanë te dera, prapë sipas Bashkimit Europian, por tani që i respektuam të gjitha, teatri do të bëhet”, tha kreu i Bashkisë.

“Kështu që i them mos harxhoni kohë se ne nuk do ta prishim fshehurazi. Kur të fillojë ndërtimi i teatrit të ri do të ndodhë në një ditë me diell, për të bërë një punë të mirë për Tiranën, që vitin tjetër mbush 100 vjeç dhe nuk ka nevojë që shekullin e dytë të vetin ta jetojë te teatri i shekullit të parë, por në një teatër të ri”.