Bota “Virusi u krijua në laborator”, Trump: Kina ose dështoi me përmbajtjen ose...

“Virusi u krijua në laborator”, Trump: Kina ose dështoi me përmbajtjen ose e la të lirë qëllimisht

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, gjatë konferencës për shtyp të ditës së enjte tha se është e mundur që Kina ose dështoi në përmbajtjen e virusit ose e la qëllimisht atë të përhapej në të gjithë globin.

“Epo ata mund ta kenë bërë një gjë të tillë. Dhe unë them po thjesht, që janë dy opsione. Ata ose nuk kanë gisht në këtë gjë, dhe ata i kanë të gjitha mjetet për ta bërë një gjë të tillë, ose e lanë qëllimisht të përhapej”, tha presidenti i SHBA.

Presidenti Trump i ka rritur sërish tonet ndaj Pekinit teksa tha se përgjegjës për situatën është edhe vetë presidenti kinez, Xi Jin-Ping, i cili nuk dha informacione të sakta për pandeminë që u gjenerua nga provinca e Ëuhanit në Kinë dhe më pas u përhap në të gjithë globin.

Trump shtoi se tashmë, marrëveshja ekonomike me Kinën është në plan të dytë, pasi prioritet për të është hetimi i saktë mbi origjinën e virusit dhe menaxhimin e krizës së shkaktuar nga ana e shtetit kinez.

“Po, nënshkruam një marrëveshje ku ata do të blinin mallra prej nesh, dhe në fakt e kanë bërë një gjë të tillë, por tani marrëveshja është në plan të dytë, pasi situata me virusin është thjesht e papranueshme”, tha kreu i Shtëpisë së Bardhë

I pyetur nëse kishte ndonjë informacion apo provë nëse ky virus mund të ishte gjeneruar nga Instituti i Virologjisë në Wuhan, presidenti i Shteteve të Bashkuara u përgjigj duke thënë, se kishte dijeni për një informacion të tillë, edhe pse nuk i lejohej ta ndante me shtypin.