Sport Vjen zyrtarizimi, Ernest Muçi te Besiktas për 10 mln euro

Vjen zyrtarizimi, Ernest Muçi te Besiktas për 10 mln euro

Vjen edhe zyrtarizimi i transferimit të Ernest Muçit te Besiktasi në Superligën turke. Klub që do të paguajë 10 mln euro në arkat e Legias së Varshavës për shërbimet e 22-vjeçarit.

Në këtë mënyrë, sulmuesi kuqezi hedh hapin e madh në karrierë, duke u transferuar në elitën e futbollit turk, te një prej skuadrave më të mëdha dhe më të njohura.

Sulmuesi i kombëtares shqiptare (7 ndeshje dhe 2 gola me kuqezinjtë) do të jetë pjesë e skuadrës nga Stambolli deri në verën e vitit 2027.

Nga ky operacion do të përfitojë edhe Tirana, që ka ruajtur 10% të kartonit të Muçit. Talenti shqiptar do të përfitojë rreth 1.8 mln euro në sezon nga kontrata me Besiktasin.

“Mirësevjen te Besiktasi“, lexohet mbi videon e 16 herë kampionëve të Turqisë në rrjetet sociale.

Merkato e dimrit në Turqi nuk është mbyllur ende dhe orët e fundit po shfrytëzohen për afrime cilësore.