Politika Vjosa Osmani: Shqipëria të miratojë rezolutën që dënon genocidin serb në Kosovë

Vjosa Osmani: Shqipëria të miratojë rezolutën që dënon genocidin serb në Kosovë

Presidenti Ilir Meta ka pritur në një takim këtë të mërkurë Presidenten në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani. Në një konferencë për shtyp, Meta tha se duhet maksimalizuar bashkëpunimi mes palëve.

Meta tha se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës. Një ndër pikat që është prekur mes dy liderëve ka qenë edhe pasojat nga pandemia.

Nga ana tjetër, Presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, u shpreh e lumtur për këtë vizitë që zhvilloi. Atë që të tjerët e konsiderojnë si bashkëpunim vëllazëror, Osmani zgjodhi ta quante ndryshe.

“Është kënaqësi që arritëm të organizojmë këtë vizitë që jo vetëm do të rikonfirmojë raportet mes dy motrash se janë më të sinqerta kur përmenden motrat”, tha ajo.

Osmani tha se rruga e Kosovës ka qenë plot me sfida, por në krah ka pasur Shqipërinë. Ajo i bëri thirrje Kuvendit që të miratojë rezolutën se Serbia ka kryer genocid në Kosovë.

“Janë disa çështje që i diskutuam me zotin President, e para ka të bëjë me kërkesën tonë që Kuvendi të miratojë deklaratën, rezolutën që do të dënonte gjenocidin serb në Kosovë. Kuvendi e ka miratuar këtë deklaratë dhe është e natyrshme që presim që vendi i dytë ta bëjë këtë pas Kosovës është Shqipëria”, tha Osmani, e cila shtoi se ka mbështetur Presidentin Ilir Meta për qëndrimin e tij kundër idesë së shkëmbimit të territoreve.