Bota Vrau 77 persona, gjykata refuzon lirimin me kusht të Breivik

Vrau 77 persona, gjykata refuzon lirimin me kusht të Breivik

Një gjykatë në Norvegji ka mohuar kërkesën për lirim me kusht të neo-nazistit Anders Behring Breivik, 10 vite pasi vrau 77 persona në shtetin skandinav.

“Ka një rrezik të qartë që Breivik do i rikthehet sjelljes që çoi drejt sulmit terrorist të 22 korrikut”, deklaroi gjykata e rrethit Telemark, duke kundërshtuar kështu kërkesën e tij për lirim.

Breivik nuk shfaqi kurrë shenja pendese pasi kreu sulmin më të përgjakshëm në historinë e Norvegjisë, ndaj dhe vendimi i gjykatës ishte i pritshëm.

Më 22 korrik të vitit 2011, ai hodhi një bombë në godinën qeveritare në Oslo. Në sulm humbën jetën 8 persona. Më pas, 42-vjeçari hapi zjarri në një kamp veror në ishullin Utoya, duke lënë të vdekur 69 persona, kryesisht adoleshentë.

Ekstremisti i djathtë u dënua me 21 vite burg në 2012, dënimi maksimal që jepet në Norvegji. Megjithatë, kjo masë mund të zgjatet nëse i pandehuri mbetet kërcënim për shoqërinë.

Ndërkohë, Breivik është shprehur në një seancë dëgjimore se i kishin bërë ‘lavazh truri’ për ta bindur të kryente sulmin terrorist dhe se përgjegjësia duhet të binte mbi ata që kishin urdhëruar sulmin. Kjo ishte arsyeja që ai dha në gjykatë për të shpjeguar përse nuk ndihej fajtor.

Ai gjithashtu theksoi se pozicioni i tij ideologjik nuk ka ndryshuar, por se tashmë synon të përhapë pikëpamjet e tij në mënyrë paqësore.