Aktualitet “151 procedime për periudhën janar-shtator”, Dumani: Nën hetim një ish-ministër, 6 ish-kryetarë...

“151 procedime për periudhën janar-shtator”, Dumani: Nën hetim një ish-ministër, 6 ish-kryetarë bashkie…

Në raportimin e bërë në Këshillin e Integrimit, kreu i SPAK, Altin Dumani, ka thënë se nga janari i këtij viti e deri në fundin e muajit shtator, janë regjistruar 151 procedime penale.

Gjatë fjalës së tij, Dumani ka thënë se nën hetim janë dhe funksionarë të lartë publikë. Pa përmendur emra, Dumani u shpreh se ish-ministër, një ish-zëvendësministër, 6 ish-kryetarë bashkie, 2 sekretarë të përgjithshëm, 3 ish-gjyqtarë, 1 ish-prokuror, janë nën hetim.

Altin Dumani: Për periudhën nga 1 Janari 2023 e deri më 30 Shtator 2023 janë regjistruar 151 procedime penale me 133 persona nën hetim. Nga këto, nën hetim janë gjithsej 13 procedime penale me 15 persona nën hetim, ish-funksionarë të lartë publikë, ku përfshihen dhe ish-funksionarë të drejtësisë, si më poshtë: 1 ish-ministër, 1 ish-zëvendësministër, 6 ish-kryetarë bashkie, 2 sekretarë të përgjithshëm, 3 ish-gjyqtarë, 1 ish-prokuror. 4 prej tyre kanë qenë ish-funksionarë të drejtësisë, nga të cilët 1 person rezulton të jetë i shkarkuar nga KPK-ja. Janë regjistruar dhe 7 procedime penale për 9 persona, ish-funksionarë të Policisë së Shtetit. Numri i procedimeve penale të regjistruar për funksionarë të Policisë së Shtetit është rritur me 75%.