Bota 24 sulme ruse në spitalet e Ukrainës. Zelensky: Do ta rindërtojmë Ukrainën

24 sulme ruse në spitalet e Ukrainës. Zelensky: Do ta rindërtojmë Ukrainën

24 godina spitalesh apo qendra të kujdesit shëndetësor janë bombarduar në Ukrainë që prej fillimit të pushtimit rus.

Kjo shifër është deklaruar nga OBSH që tha se nga këto sulme kanë vdekur të paktën 12 persona dhe janë plagosur 8 të tjerë.

“Të paktën 8 nga të plagosurit dhe 2 nga të vrarët janë verifikuar se janë punonjës shëndetësorë. Sulmet ndodhën midis 24 shkurtit dhe 8 marsit”, tha OBSH për CNN.

Një shpërthim vdekjeprurës me bombë në një maternitet dhe spital për fëmijë në Mariupol, për të cilin zyrtarët ukrainas thanë se vrau tre persona, është dënuar gjerësisht.

Zelensky: Do ta rindërtojmë Ukrainën! Nuk do të mbetet asnjë gjurmë nga pushtimi rus

Presidenti Volodymyr Zelensky mbajti këtë të enjte një fjalim, ku i kërkoi partnerëve të Ukrainës në mbarë botën që të ofrojnë zgjidhje të bazuara në realitet,  jo në opinione abstrakte.

Ai tha se liderët po mblidhen për të diskutuar luftën dhe anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe theksoi se ai e di se cilët nga ata liderë po mbështesin Ukrainën.

Për luftën, ai thotë se burrat dhe gratë ukrainase po mbrojnë shtetin e tyre për të 15-ën ditë dhe kanë zmbrapsur sulmet në zona kyçe.

Ai konfirmon se tre persona, përfshirë një fëmijë, u vranë në bombardimin e maternitetit në Mariupol dhe thotë se pretendimi i Rusisë se nuk kishte pacientë në spital është një gënjeshtër.

Rusët kanë krijuar një “katastrofë humanitare”, thotë ai, duke shtuar: “Më është thyer zemra nga ajo që pushtuesit u kanë bërë qyteteve tona, shtetit tonë”.

Ai thotë se Rusia dëshiron të poshtërojë popullin ukrainas dhe “t’i bëjë ata të gjunjëzohen dhe të marrin bukë dhe ujë nga duart e tyre”.

Zelensky shton: “Ne nuk u bëmë skllevër dhe nuk do të bëhemi kurrë – sepse ky është shpirti ynë dhe ky është fati ynë”.

Duke parë drejt së ardhmes, ai thotë se pas luftës, gjithçka do të rindërtohet në standardet më të larta dhe planifikimi nga qeveria tashmë është duke u bërë. “Nuk do të mbetet asnjë gjurmë nga pushtimi rus”.