Aktualitet Bëri manovra të rrezikshme në sheshin “Skënderbej”, gjykata dënon me 2 vite...

Bëri manovra të rrezikshme në sheshin “Skënderbej”, gjykata dënon me 2 vite burg 33-vjeçarin

Gjykata e Tiranës dënoi me dy vite burg dhe dy vite heqje te patentës të riun Arben Mema, i cili në 25 Prill të 2021, ditën kur në të gjithë vendin mbaheshin zgjedhjet e përgjithshme, hyri në sheshin “Skënderbej” me makinë duke bërë manovra të rrezikshme për jetën e shumë kalimtarëve.

Ai u ndalua në atë kohë nga një qytetar, duke shmangur lëndimin e qytetarëve. Pas ndalimit, Mema rezultoi të ishte një person me precedent penal. Gjatë kontrollit, iu gjet edhe një sasi lënde narkotike dhe dyshohet se gjithçka ndodhi nën efektin e narkotikëve dhe të alkoolit.

Disa muaj hetime u kryen edhe nga anti-terrori për të kuptuar nëse futja në sheshin “Skënderbej” lidhej me një akt të mundshëm terrorist, megjithatë verifikimet treguan të kundërtën.

33-vjeçari tha gjatë hetimeve se veprimi i tij nuk ishte i qëllimshëm dhe se i kishte dalë makina nga kontrolli, teksa në gjykatë fajësoi alkoolin.