Aktualitet 9 apartamente, 2 dyqane dhe 1 garazh, sekuestrohet pasuria 2.2 mln euroshe...

9 apartamente, 2 dyqane dhe 1 garazh, sekuestrohet pasuria 2.2 mln euroshe e dy vëllezërve nga Tirana

Nëntë apartamente, dy dyqane dhe një garazh, janë sekuestruar nga Policia e Tiranës në bashkëpunim me Prokurorinë.

Sipas njoftimit të Policisë këto pasuri dyshohet se janë përfituar nga të ardhura të rrjedhura nga aktiviteti kriminal i dy vëllezërve Armando dhe Alket Gorezi.

Njoftimi i Policisë

Seksioni për Pastrimin e Parave në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë në funksion të procedimit penal të vitit 2018 “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në ngarkim të shtetasve A. G., 44 vjeç dhe A. G., 47 vjeç (vëllezër), finalizoi operacionin policor të koduar “Vllazëria”, në kuadër të të cilit u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës dhe sekuestrimi preventiv i:

– nëntë apartamenteve

– dy dyqaneve

– një garazhi (të ndodhura në qytetin e Tiranës dhe Durrësit të cilat kapin vlerën e dy  milion e dyqindmijë euro).

Pas një pune disa mujore në funksion të procedimit të regjistruar duke përdorur metodat speciale të hetimit, janë identifikuar pasuri të cilat nuk justifikoheshin nga ana ekonomike e financiare dhe rridhnin nga aktiviteti kriminal i dy vëllezërve.