“Kemi të bëjmë me një luftë”, është tashmë slogani makabër që përcjell mesazhin e të gjithë liderëve botërorë, nga Merkel tek Macron, dhe ditët e fundit këto fjalë janë përsëritur edhe nga ata fillimisht skeptikë mbi koronavirusin si britaniku Boris Johnson dhe presidenti i SHBA, Donald Trump.
Por ky i fundit tashmë ka ndërruar strategji, dhe dje në konferencën për shtyp që kryen me ritme ditore për krizën e pandemisë, presidenti amerikan shtoi diçka që ishte e padëgjuar në dekada në veshët e gazetarëve të pranishëm. “Do të përdor Defense Production Act, sepse mund të na duhet”. Një deklaratë e pasuar pak orë më vonë nga një urdhër ekzekutiv që e formalizon.
Por çfarë është akti të cilit i referohet Trump? Akti i Prodhimit për Mbrojtjen (Defense Production Act) është një ligj që burimin e tij e ka në Luftën e Dytë Botërore, kur industria amerikane u përqendrua totalisht në prodhimin e armatimeve të ndryshme, nga mjetet e blinduara dhe aeroplanët, tek uniformat për ushtarët që shkonin në front. Me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, ligji u mbajt për shkak të Luftës së Ftohtë nga presidenti i atëhershëm Truman.
Pikërisht ky është thelbi i aktit. Ai i mundëson administratës mundësinë që të drejtojë industrinë e vendit drejt prodhimit të disa produkteve të nevojshme për mbrojtjen e vendit. Në rastin e sotëm, nuk flitet për tanke dhe raketa, por për ventilatorë dhe maska, që duket se janë të pamjaftueshme aktualisht për t’u përballuar me armikun e përbashkët, koronavirusin.
Prej javësh demokratët kanë insistuar në deklarimin e këtij ligji, që më së fundi presidenti Trump ka pranuar, duke qenë tashmë i lirë të paguajë në mënyrë të drejtpërdrejtë kompanitë që do të prodhojnë materialet jetike, dhe duke i ofruar atyre lehtësira fiskale.