Jeta ka ndryshuar me shpejtësi që kur Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli Covid-19 një pandemi më 11 mars. E teksa koronavirus ka mbyllur gjithçka, hapësirat publike janë zbrazur dhe zyrtarët u kanë kërkuar njerëzve që të qëndrojnë në shtëpi; papritmas e kemi gjetur veten me më shumë kohë të lirë (të paktën ata njerëz që nuk kanë fëmijë për t’u kujdesur. Izolimi ose karantina është një kohë e shkëlqyeshme për t’i dhënë përparësi mirëqenies suaj mendore dhe fizike, por nëse gjithashtu dëshironi ta përdorni atë për të qenë produktiv, keni mjaft modele historike nga ku mund të frymëzoheni. Uilliam Shekspir nuk ishte i vetmi person që prodhoi disa nga veprat e tij më të mira gjatë një pandemie.
Më poshtë po ju sjellim disa mendimtarë dhe artistë të tjerë të shkëlqyeshëm që përdorën distancimin shoqëror në avantazhin e tyre
Uilliam Shekspir
Uilliam Shekspir shkruajti Mbretin Lir në karantinë. Shekspir ishte një aktor dhe aksioner në një trupë teatri “The King’s Men” kur murtaja bubonike detyroi teatrot e Londrës të mbyllen në fillim të shekullit të 17. Rregulli zyrtar ishte që pas disa javësh, kur numri i vdekjeve tejkalonte 30, sallat e lojërave publike duhe të mbylleshin. Kjo do të thoshte që industria e teatrit ishte e paralizuar për pjesën më të madhe të vitit 1606 kur murtaja u kthye në qytet. Pasi papritur e gjeti veten pa një punë të qëndrueshme dhe me shumë kohë të lirë, Shekspirit iu desh të shkruante. Ai shkruajti mes të tjerash “Mbretin Lir”, apo “Makbethin” përpara se të mbaronte viti.
Isak Njuton
Disa dekada pasi Shekspiri i izoluar shkroi disa nga veprat e tij më të famshme, edhe Isak Njutonit i duhej të shmangte sëmundjet në Angli. Në 1665, kur Njutoni ishte në të njëzetat e tij, një nga shpërthimet e fundit të mëdha të murtajës bubonike goditi vendin. Mësimi në Universitetin e Kembrixhit u anulua, kështu që Njutoni u tërhoq në vilën e tij familjare për të vazhduar studimet atje. Ai nuk shqetësohej aspak që t’u përgjigjej në email ose video-konferenca profesorëve, ashtu siç ndodh sot. Matematikani i ri prodhoi disa nga punët e tij më të mira gjatë vitit të tij në karantinë, duke shkruar letrat me llogaritjet e tij të famshme, duke zhvilluar teoritë e tij në optikë, ndërsa luante me prizëm në dhomën e gjumit. Kjo ishte edhe koha kur zuri rrënjë edhe teoria e tij e gravitetit. Ka shumë të ngjarë që Njutonin nuk e ka goditur aspak një mollë në kokë, por është e vërtetë që jashtë dritares së tij kishte një pemë molle, e cila edhe mund të ketë frymëzuar zbulimin e tij.
Eduard Mynsh
Piktori i “Klithmës”, Eduard Mynsh (Edvard Munch) jo vetëm që ishte dëshmitar i pandemisë së Gripit Spanjoll në botën përreth tij, por ai gjithashtu e vuajti në kurriz sëmundjen rreth fillimit të vitit 1919, ndërsa jetonte në Norvegji. Por në vend që të bëhej një nga viktimat e shumta të saj, Mynsh jetoi dhe vazhdoi të bënte art të shkëlqyeshëm. Autoportreti me Gripin Spanjoll e tregon me flokë të holluar dhe fytyrë të lodhur, ulur para shtratit të lëngimit.
Tomas Nash
Tomas Nash (Thomas Nashe) ishte një dramaturg i periudhës Elizabetiane që fitoi famë në të njëjtën kohë me Uilliam Shekspirin. Kur murtaja bubonike goditi Londrën në 1592, Nash iku në fshat për të shmangur infeksionin. Kjo ndodhi gjatë kohës që ai shkroi “Testamenti dhe Dëshira e Fundit e Summersit”, një shfaqje që pasqyron përvojat e tij duke jetuar përmes pandemisë.
Xhovani Bokaço
Shkrimtari dhe poeti fiorentin Xhovani Bokaço (Giovanni Boccaccio) u prek nga murtaja bubonike. Kur ajo goditi Firence në vitin 1348, babai dhe njerka e tij iu dorëzuan sëmundjes. Bokaço i mbijetoi shpërthimit të murtajës duke ikur nga qyteti dhe u fsheh në fshatrat toskane. Gjatë kësaj periudhe, ai shkroi “Dekameronin”, një koleksion rrëfimesh të kornizuara si histori që një grup shokësh i tregojnë njëri-tjetrit ndërsa janë të karantinuar brenda një vile gjatë murtajës. /Mentalfloss