Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar sot një komunikim me mjekë dhe ekspertë të shëndetësisë lidhur me situatën e rënduar të pandemisë nga COVID-19. Në fjalën e tij Basha tha se Shqipëria mbetet një nga vendet që ka numrin më të ulët të testimeve dhe nuk bëhet gjurmimi i rasteve, as i atyre të kontaktit.
“Dilte 10 orë në ditë në televizor kur vdekjet ishin 1/10 e atyre që janë sot, ndërsa tani është zhdukur, thua se nuk jemi më në pandemi. Ne do të paraqesim një plan-veprim pasi nuk mund të ngremë vetëm gishtin për të treguar gabimet. Duhet shkundur i pari i qeverisë dhe ministrja e Shëndetësisë. Ka kohë për t’u marrë me përgjegjësitë, por çdo orë që humbet me propagandë dhe premtime të pambajtura kushton jetë njerëzish dhe kushton shtrenjtë ekonomikisht”, tha Basha.
Kreu demokrat theksoi se brenda javës do të hartohet një propozim konkret drejtuar qeverisë: “Ju bëj thirrje, me gjithë lodhjen dhe demotivimin e personelit shëndetësor, që të bëjmë një përpjekje për të rreshtuar profesionalisht prioritetet akute dhe t’i dalim para të keqes së madhe. Brenda javës do të dalim me një propozim konkret drejtuar atyre që kanë akoma çelësat e qeverisjes. Tani nuk bëhet fjalë për politikë, por për jetën e bashkëqytetarëve tanë. Detyra jonë është të themi fort fjalën tonë për atë që duhet bërë urgjentisht”.
Më tej kreu i PD tha se mjekimet bëhen me telefon dhe pacientëve dhe Covid nuk u bëhen analiza, skaner dhe kontrolle të tjera për të parë gjendjen klinike të tij. Sipas kreut të opozitës të gjitha mjekimet që marrin pacientët duhet të rimbursohen 100% dhe shtoi se ende nuk ka një protokoll të qartë.
Basha foli dhe për vaksinën e Covid-19 dhe tha se qeveria nuk ka bërë asnjë veprim për të siguruar doza për popullsinë. “Sa i përket çështjes së vaksinës, ne kemi kërkuar bashkëpunim me BE-në dhe me SHBA-në që në korrik, por qeveria nuk ka bërë asnjë lëvizje për këtë gjë”, u shpreh kreu i PD.
Basha solli në vëmendje dhe premtimin e qeverisë për pagë 1 mijë euro për mjekët e vijës së parë. “Paketa që u trumbetua me të madhe për 1 mijë Euro në muaj është bërë selektive dhe diskriminuese, prandaj dhe mjekët do të dalin nesër në protestë”, tha ai.
Numri një i opozitës u shpreh se “mjekët sot janë më të nënpaguarit dhe më të rraskapiturit në rajon, po krahason me fqinjët dhe jo me vendet evropiane”. Po ashtu kreu i PD solli në vëmendje dhe gripin stinor dhe i bëri qeverisë që të marrë masa. Në fund Basha kërkoi edhe njëherë testimin e mësuesve dhe pajisjen me mjete të nevojshme kundër Covid në të gjitha shkollat e vendit.