Në Shqipëri, për të tretën javë radhazi, situata e koronovirusit ka shënuar përmirësim në të gjithë aspektet, me një rënie të numrit të të prekurve, të viktimave si dhe të shtruarve në spitale. Të dhënat zyrtare për periudhën 23 Mars – 29 Mars, tregojnë se rastet e reja, ranë ndjeshëm, me 18.5 përqind, krahasuar me javën pararendëse (16 Mars -22 Mars). Në total u regjistruan 2875 të infektuar rishtazi, niveli më i ulët që prej fundit të Tetorit të vitit të shkuar.
Rënie e rasteve të reja, sipas të dhënave të përpunuara nga Zëri i Amerikës, duket të jetë ndikuar në një farë mase edhe nga reduktimi i numrit të testimeve (-11.1 përqind). Megjithatë, pozitiviteti (raporti mes rasteve pozitivë dhe testimeve) shënoi sërish një tjetër rënie javën e fundit, duke u ndalur në një mesatare javore prej 15.6 përqind, një nivel që nuk ishte shënuar që prej periudhës 29 Shtator-5 Tetor.
Numri i të prekurve ka vijuar tendencën rënëse të nisur që prej javës së tretë të muajit Shkurt, duke kapur të hënën dhe shifrën më të ulët ditore që pas 4 Janarit, me 285 të infektuar: 67 raste në Tiranë, 21 në Fier, 19 në Korçë, 18 në Shkodër, 17 në Elbasan, 14 në Vlorë, nga 13 raste në Durrës, Gjirokastër, 11 në Berat, nga 7 raste në Lezhë, Lushnje, Sarandë, nga 6 raste në Kavajë, Mirditë, Peqin, nga 5 raste në Kurbin, Mallakastër, Vau i Dejës, nga 4 raste në Librazhd, Skrapar, nga 3 raste në Pukë, Kamëz, Malësi e Madhe, Kuçovë, Patos, nga 2 raste në Devoll, Prrenjas, Kolonjë, Gramsh, dhe nga 1 rast në Kukës, Has, Rrogozhinë, Tropojë, Poliçan, Dropull, Libohovë.
Edhe vdekjet ranë me 16.5 përqind, duke zbritur në një total prej 71 viktimash, ose niveli më i ulët që pas fundit të muajit Janar. Në 24 orët e fundit, sipas njoftimit të së hënës, së Ministrisë së Shëndetësisë, ishin 6 persona që humbën jetën: 3 qytetarë nga Tirana, 2 qytetarë nga Fieri, 1 qytetar nga Saranda, të moshave 54- 83 vjeç.
Niveli i shtrimeve në spitale po ashtu u reduktua dukshëm, me afro 22 përqind. Të hënën, ministria e Shëndetësisë njoftoi se në total po trajtohen 311 pacientë, 16 në terapi intensive, nga të cilët 7 pacientë janë të intubuar. Ky është niveli më i ulët që pas fundit të Janarit kur kishte nisur sërish tendenca rritëse, që detyroi më pas autoritet, të hapin dhe tre spitale të tjera rajonale, përveç 4 spitaleve COVID në kryeqytet.
Paralelisht me shenjat e përmirësimit të situatës, autoritetet kanë nisur që prej të dielës vaksinimin masiv të popullatës, pasi garantuan sasira të konsiderueshme të vaksinës kineze Sinovac, dhe një furnizimi në rritje me vaksinat e tjera nga Pfizer dhe AstraZeneca. Ndërsa ditën e parë u kryen 11.487 vaksinime, të hënën, shifra thuajse u dyfishua me 20.414 persona./VOA