Policia e Shkodrës ka shoqëruar dy persona për vrasjen së ish-deputetit Pashko Ujka. Njëri nga të shoqëruarit dyshohet të jetë autori i vrasjes
I dyshuari është një 20-vjeçar me iniciale K.K., i cili mbahet në ambientet e Komisariatit të Shkodrës dhe po merret në pyetje.
I shoqëruar është edhe një person i dytë si i dyshuar për pjesëmarrje në vrasjen e ish-deputetit. Mësohet se të dy këta persona do të mbahen të shoqëruar deri në një njoftim nga Instituti i Policisë Shkencore, për të parë nëse në duart e dy të dyshuarve ka gjurmë baruti.
Pashko Ujka u vra më 29 Nëntor rreth orës 18:15, në lagjen “Vasil Shanto” në Shkodër. Ai u qëllua me armë me silenciator pranë shtëpisë së tij, ndërkohë që ishte i shoqëruar nga bashkëshortja. 64-vjeçari mbeti i plagosur rëndë. Ai mori një plumb pranë shtyllës kurrizore dhe ndërroi jetë më vonë në spital për shkak të gjendjes së rënduar.
Pashko Ujka ka qenë kryetar i komunës së Velipojës në vitet 2011-2015. Më parë ai ka qenë edhe deputet i Partisë Demokristiane. Ujka prej disa vitesh nuk ishte aktiv në jetën politike.