“Për ne është e qartë, që Irani e mban përgjegjësinë për këtë sulm”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të qeverisë gjermane, franceze dhe asaj britanike, që u publikua në Nju Jork. Në takimin e kancelares Merkel, kryeministrit britanik, Johnson dhe presidentit Macron në Nju Jork para fillimit të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme, u theksua se “nuk ka një shpjegim tjetër” për sulmet me dron kundër rafinerive të naftës në Arabinë Saudite para një jave. Në të njëjtën kohë Merkel, Macron dhe Johnson kërkuan një zgjidhje diplomatike për krizën e Gjirit Persik. Sulmet kanë bërë të qartë “nevojën e çtensionimit” të situatës.
Më parë ishte SHBA dhe Arabia Saudite që bënë përgjegjëse Iranin për sulmet kundër rafinerive të naftës në Hurais dhe Abkaik. Arabia Daudite deklaroi, se sulmet janë bërë më armë iraniane. Publikisht sulmin e morën përsipër rebelët Huthi në Jemen. Irani i mbështet ata në luftë kundër koalicionit ushtarak të drejtuar nga Arabia Saudite. Teherani e hedh poshtë përfshirjen në sulmet ushtarake.
Presidenti amerikan, Donald Trump vendosi daljen në mënyrë të njëanshme nga Marrëveshja Atomike me Iranin. Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe bëjnë pjesë tek shtetet nënshkruese që duan ta shpëtojnë marrëveshjen. Në deklaratën e përbashkët ato edhe njëherë e shprehin mbështetjen për marrëveshjen. Por të tre shtetet europiane i bënë thirrje Iranit të respektojë plotësisht marrëveshjen dhe kërkuan që Irani të hyjë në negociata për një marrëveshje afatgjatë për programin atomik. Negociatat duhet të përfshijnë edhe çështjet e sigurisë rajonale dhe programin iranian të raketave.
Sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo falënderoi ndërkohë partnerët europianë, “miqtë e ngushtë” për mbështetjen në konfliktin me Iranin. “Kjo do ta forcojë diplomacinë dhe përpjekjet për paqen”. Pompeo shkroi në Twitter, se “i kërkojmë çdo vendi që t’i bashkohet dënimit të veprimeve nga ana e Iranit.”