I dha lamtumirën skuadrës amerikane Los Angeles Galaxy në mënyrën e tij, por pa zbuluar të ardhmen. Emri i Zlatan Ibrahimovicit është miklues për shumë ekipe të Serisë A. Milanin e ngacmon ideja për të rikthyer me fanellën kuqezi gjigantin suedez. “Djalli” po i afrohet me hapa të mëdhenj zonës së ftohtë të klasifikimit dhe pronarët nuk do të rrinë duarkryq.
Nëse për Krishtlindje klasifikimi do të thotë se ia vlen, afrimi i madh i Ibras do të realizohet, por me një kusht: duhet të ndodhë me autofinancim. Për këtë arsye, për të arritur të Zlatani, Milani duhet të shesë lojtarë të tjerë për të siguruar shumën e nevojshme. Borini, Kessie dhe Rodriguez kanë përfunduar për motive të ndryshme në kufirin që i nxjerr jashtë projektit, gjetja e një sistemimi për këta tre lojtarë mund t’i lejojë Milanit të kursejë të paktën 60 milionë euro në buxhetin e pagave, natyrisht bëhet fjalë për shumën bruto, duke përfshirë dhe taksat.
35 milionë euro mund të vijnë nga Kessie, i cili duket se është lojtari më pranë largimit. Nga transferimi eventual i Borinit, klubi kuqezi do të realizonte një kursim prej thuajse 10 milionë eurosh, përveç 17 milionëve nga Ricardo Rodriguez. Ibrahimovic mund t’i ofrohet Milanit me një pagë prej rreth 4 milionë eurosh, por për ta arritur diçka të tillë, Ibra duhet të qëndrojë në Itali të paktën për dy vjet.