Shqipëria ka qenë trekëndëshi i Bermudës për çekët. Vetëm pesë vitet fundit, dhjetëra turistë çekë kanë humbur jetën, janë vrarë, zhdukur, plagosur, apo aksidentuar. Kësaj here të tjerë çekë do të vijnë në Shqipëri, por jo për qëllime turistike. Policia e Shtetit ka njoftuar bashkëpunimin me Policinë Rrugore Çeke.
Në muajt në vijim, disa akse kryesore në Shqipëri do të patrullohen nga dy autovetura ‘çeke’, të pa-uniformuara, por të mirëpajisura. Sipas njoftimit të Policisë, mjetet janë të pajisura me radarë, sistem identifikimi të targave, lexim automatik, identifikues të përdorimit të celularit gjatë drejtimit të mjetit, etj.
“Patrullat e Policisë çeke kanë ardhur në Shqipëri në kuadër të shkëmbimit të eksperiencave në monitorimin e shkeljeve në rrugë, duke nisur me testet e shkeljeve në drejtim të tejkalimit të shpejtësisë”. shkruan Policia në njoftimin zyrtar.
Nisur nga njoftimi i bërë, në muajt në vijim, edhe patrullat shqiptare do të shkojnë në Çeki. Në fakt, bashkëpunimet e Policisë me homologë të jashtëm nuk janë të reja. Përgjatë sezonit veror, në Shqipëri ka pasur policë të ardhur nga Kosova ose nga Italia.