Opinione Profesore Luljeta Bozo, konstruktimi i heroit

Profesore Luljeta Bozo, konstruktimi i heroit

Çapajev Gjokutaj

Nga Çapajev Gjokutaj

Profesore Luljeta Bozo u bë personazhi mbase më popullor i javëve pastërmet. Mediat e prezantojnë si ‘zysha yll e inxhinierisë’, si ’77-vjeçarja që po na hap sytë për katrahurën e ndërtimeve’. Po të lexosh më ngultaz mund të gjesh edhe intertekste legjendash e përrallash në karakterizime të tipit ‘zonja që “vrau” tërmetin, na ngrohu zemrat e na mbajti mendjen’, apo kur përshkruhet si një personazh që i drejtohen të gjithë, nga njerëzit e thjeshtë që kërkojnë një mendim për banesat e tyre të dëmtuara e deri tek vetë kryeministri që ‘e thërret në zyrë dhe i kërkon ndihmë’.

Nuk është vështirë të vesh re se prezantime të tilla përmbajnë tone të ngritura emocionale dhe nuk e fshehin tendencën e gazetarëve për të ndikuar opinionin e shikuesve a lexuesve. Tendenca dhe dëshirat e gazetarëve luajnë rol të rëndësishëm në krijimin e një imazhi mediatik, por në rastin e profesore Bozos kemi të bëjmë me një person që pranohet gjerë, veç promovimit mediatik duket qartë që ka edhe një pëlqim të thellë popullor.

Falë këtyre profesorja është kthyer në një personazh mediatik, madje s’do ta tepronim po të thoshnim se ka marrë trajtat e një figure që përcillet me dashamirësi e respekt të ngjashëm me atë që shoqëron heronjtë. Kemi të bëjmë me një konstruktim të sukseshëm heroi/heroine, sukses që ka burime të shumta. Nisin nga personaliteti i profesores, vazhdojnë me situatën emocionale që krijojnë fatkeqësitë natyrore dhe vijnë tek handikape që ka shoqëria jonë e sotme në konstruktimin e personazheve publikë dhe të heronjve mediatikë.

2.
Në pranimin kaq të gjerë të profesores duket se ka lujtur rol të konsiderueshëm edhe biografia e saj si eksperte. Një jetë e tërë kushtuar profesionit, breza të shumtë studentësh që flasin me admirim, rreth 25 libra të botuar, jetë aktive prej mësimdhënëseje dhe eksperteje edhe tani që ka hyrë në moshën e tretë, moshë kur, si rregull njeriu i rëndomtë heq dorë nga puna dhe ambicjet profesionale dhe i gjen kënaqësitë tek familja, pasardhësit, kujdesi për shëndetin, shkëmbimet me bashkëmoshatarët etj.

Biografia si eksperte luan rolin e vet por nuk është e mjaftueshme për të shpjeguar kthimin e profesores në person publik të pranuar gjerë në vetëm pak ditë. Nuk na mungojnë ekspertë të kësaj moshe që janë marrë gjatë me konstruksionet, sizmologjinë, gjeologjinë etj. dhe që u shfaqën në ekrane e dhanë ndihmesën e vet të çmuar për sqarimin e publikut në periudhën e vështirë postërmet. Megjithatë nuk ia dolën të kishin po aq interes, mirëpritje e popullaritet sa profesore Bozo.

Duket se, krahasuar me ekspertë të tjerë, profesorja ka patur edhe një armë plus, karizmën apo aftësinë për të ngjallur vëmendje e simpati si dhe për të ndikuar dëgjuesit, sa me ato që thotë aq edhe me mënyrën si i thotë.

Vend të veçantë në këtë karizëm duket se ka prirja e natyrshme për të shkrirë e bërë një eksperten me njeriun e zakonshëm, shkencëtaren me gruan, nënën dhe gjyshen empatike që përcjell besim dhe dhembshuri.

Pjesë e kësaj karizme ishin mesazhet e qarta, plot informacion të dobishëm e konstruktiv; të folurit rrjedhshëm dhe natyrshëm në regjistër bashkëbisedor e të kuptueshëm për gjithkënd; natyrshmëria dhe modestia e shfaqjes në ekran larg ngërçeve,që karakterizojnë njerëzit e pamësuar me kamerat, por edhe larg pozave e vetëmburrjeve, larg toneve alarmuese e apokaliptike etj.

Është krejt e natyrshme që edhe situta e ndezur emocionale e këtyre javëve pastërmet të ketë luajtur rolin e vet në pranimin e gjerë që i bëri publiku profesores Bozo. Psikologët thonë se njeriu lind i programuar që të pëlqejë figura të tilla si nëna, babai, foshnja, heroi etj. Të gjith këto pëlqime ekzistojnë si mundësi, si potencial në subkoshiencën e secilit, por gjallërohen e vijnë në jetë në periudha me densitet të lartë emocional.

Në periudha si kjo pastërmet kur buisin lajme me rrënoja e kufoma, me të gjymtuar e shtëpi të pasigurta, me lëkundje toke të shumta e të frikshme, e pra, në periudha të tilla rritet densiteti emocional, pasiguria e frika dhe njeriu aktivizon pëlqimin e stërlashtë për heronj e heroina që i japin zemër e siguri. Kur heroina vjen nga fusha e dijeve ekzakte, ka njohuri të shëndosha e karizëm të mjaftueshme për të ngjallur besim tek audienca, doemos që do pranohet gjerë e do pëlqehet masivisht.

Luljeta Bozo

3.

Heronjtë e të gjitha llojeve, qofshin ata të folklorit, të letërsisë, kinematografisë a medias i kanë themelet jo mbi praninë por mbi mungesat. Përralltari sendërtonte Gjysmagjelin, Kacimicrin, Qerosin, Hirushen e të tjera figura të këtij lloji jo se të vegjlit në moshë dhe vegjëlia si grupim shoqëror ngadhënjenin e shkëlqenin, por se duhej krijuar shpresë për të mirërritur vocërrakët dhe jetën mes varfërisë dhe nëpërkëmbjes.

Edhe popullariteti i profesore Bozos duket se i ka rrënjët mbi një mungesë. Ekranet tona janë të tejmbushura me politikanë e gjithologë që flasin edhe për politikë, edhe arkeologji, edhe për jurisprudencë, edhe për ekologji, arsim, komunikim etj. etj. Ekspertët dalin rrallë e, pas të gjitha gjasava, pa mall.

Me tërmetin ndodhi një thyerje, jo se u sfumua vendi i politikanëve dhe gjithologëve, por se u thirrën të thoshnin fjalën e tyre edhe ekspertë si sizmologë, inxhinierë, arkitektë, urbanistë etj. Me sa duket kjo risi u nxit nga natyra disi misterioze dhe tejet specifike e lëkundjeve të tokës si dhe nga etja e publikut për informacion të saktë e nga burime sa më të besueshme.

Duke u çapitur vit pas viti në shkretëtirën e llafollogjisë dhe demagogjisë politike, jemi bërë edhe më të etur për të dëgjuar ekspertë, njerëz të dijes e të shkencës që edhe mund te mos i plotësojnë sa duhet kërkesat e spektaklit formal, por sjellin fakte, argumente e interpretime, bien në ligjërimin publik më shumë drithë e më pak byk, më shumë lëndë e më pak llafe. Për më tepër se ky trend është në harmoni me kohën tonë të formësuar kryesisht nga informimi dhe kompetenca.

Por shqetësimi për ekspertët nuk shtrihet vetëm në sferën e ligjërimit publik. Rasti ‘Bozo’ dhe ekspertët e shumtë, që u bënë të zëshëm në këtë periudhë, të grishin të meditosh më thellë për rolin e dijetarëve, shkencëtarëve, ekspertëve në zhvillimet tona ekonomike e shoqërore.

Kur flitet për inxhinierët psh jemi pergjithësisht të prirur t’i përfytyrojmë si vegla a, më keq akoma, si lakenj në shërbim të disa ndertuesve të babëzitur. Periudha pastërmet po dëshmon se nuk na mungojnë, madje i kemi jo të paktë inxhinierët e aftë dhe dinjitozë.

Problemi nuk është aq me ta si individë a si grup, por me ne si shoqëri, me sistemin që kemi ngritur dhe institucionet që kemi ndërtuar. Këto javë u diskutua jo pak edhe për faktin se sot nuk kemi institutet e dikurshme as në ndërtim, as në bujqësi, as në gjeologji, sizmologji etj. etj.

Jemi vend i vogël dhe i varfër ndaj nuk kemi mbase mundësi të mbajmë institute pas institutesh. Problemi i vërtetë nuk është se kemi mbyllur institutet e dikurshme, por se kemi asfiksuar kërkimin shkencor. Në letër këto lloj kërkimesh duhet të bëheshin pranë departamenteve universitare.

Por realiteti i menaxhimit nuk le as shtegun më të vogël për këtë alternativë. Universiteti i Tiranës psh harxhon 400 milionë lekë për roje dhe 4 milionë lekë për kërkime shkencore. Më tej një inxhiner konstruktor për të bërë projektin e ndërtimit paguhet më pak se një euro për metër katror, një pllakaxhi që shtron pllakat paguhet rreth 5 euro për metër katror. Pllakaxhiu merr pagën dhe e bën gjumin top, projektuesi mund të përballet me lajthitjet e tij edhe pas disa dekadash, kur tërmeti bën kontrollin e cilësisë.

Kuptohet se në këtë klimë ekspertët mbeten në hije, të papërfillur dhe të nëpërkëmbur, jo për fajin e tyre.

4.

Po qe se shihet në një rrafsh më abstragues, pranimi aq i gjerë dhe aq i beftë i profesore Bozos mund të lexohet edhe si grishje për të shmangur politizimin e tërmetit.

Pas çdo ngjarjeje tronditëse partitë politike, që alternojnë pushtetin prej tri dekadash, nxitojnë të nxjerrin përfitimet e radhës duke kërkuar fajet tek kundërshtari e duke bërë premtimet e radhës. Parë në parim ky lloj procedimi është normal e s’ka kurrfarë gjëje të keqe. Forcat politike që kanë apo synojnë pushtetin bëhen edhe më funksionale e më konstruktive, kur konkurrojnë me njera-tjetrën dhe bëjnë trysni për transparencë, përgjegjshmëri, respektim ligji e mbajtje premtimesh.

Problemi ynë është se për disa shkaqe që lidhen me sistemin politik dhe atë zgjedhor, shkaqe që i kalojnë kufijtë e këtyre shënimeve, konkurrenca dhe ndeshjet mes maxhorancës dhe opozitës mbeten të shumtën e herëve në rrafshin e llafollogjisë e të demagogjisë dhe kthehen në politizime të dalaboje.

Jo vetëm kaq. Politizimet për tërmetin dhe pasojat dramatike të tij rezultojnë edhe më boshe nga që katrahurën me ndërtimet dhe me administrimin e territorit në përgjithësi e kanë shkaktuar periodikisht maxhoranca dhe opozita e sotme, sepse laj thaj kanë qenë po ato e vetëm ato që janë alternuar në pushtetin qendror, kurse pushtetin lokal e kanë ndarë “vëllazërisht” dhe pa ndërprerje. E gjynahet më të mëdha në katrahurën e administrimit të territorit duket se bien mbi shpatullat e pushtetit lokal. Kjo bashkëfajsi e bën edhe më boshe retorikën për t’i paraqitur dëmet e tërmetit si përgjegjësi ekskluzive e njerëz apo tjetrës palë.

Si maxhoranca ashtu edhe opozita nuk kanë ndonjë arsye të ndërrojnë zakon e të heqin dorë nga politizimet bardhë e zi: ata djaj, ne engjëj. Por po ta kufizonim ligjërimin publik për tërmetin në luftë për pushtet, duke i mbajtur iso njërës palë e duke sulmuar palën tjetër, do të kontribuonim për ndarjen kolltukëve dhe jo për të ndihmuar hallemëdhenjtë e këtij dimri të vështirë dhe mandej për të reflektuar e nxitur trysninë qytetare, që të reformohet shteti grotesk, ku i vdekuri para pesë vitesh bën projekte dhe biznesi i betonit jep leje ndërtimi.

Tërmeti i 26 nëntorit është ngjarje e madhe, me përmasa fatale e dramatike, por jo çdo e keqe vjen vetëm për keq. Në çdo shoqëri që funksionon normalisht ngjarje të tilla shërbejnë për reflektim, për të gjetur çfarë nuk ka funksionuar e për të diskutuar çfarë rregullimesh ligjore e institucionale duhen bërë, ç’masa duhen marrë e ç’ndëshkime duhen dhënë që drama të tilla të mos përsëriten.

Do të ishte e pafalshme po qe se edhe kësaj here do të ndodhte ajo që ndodh rëndom: gjithë ligjërimi për tërmetin të sendërtohej si iso për artikulimet e njërës apo tjetrës palë politike. Gazetarët, media, ekspertët e fushave të ndryshme, njerëzit e ditur që kanë ze publik duhet të bëjnë çmos që, veç e veç e të gjithë bashkë, të përcaktojnë axhendën e ligjërimit publik në menyrë që periudha pastërmet të sjellë fryte për qytetarët dhe jo për parinë e kolltuqet e saj.

Në se ligjërimi pastërmet do konceptohet si këngë polifonike ku maxhoranca apo opozita ia marrin e ia kthejnë, kurse media e shoqëria mbajnë iso, do të lemë të na shpëtojë një mundësi e artë për gjallërimin e mendimit dhe të lëvizjeve qytetare.

Klasa politike deri më sot ka nxituar të bëjë kauzë të vetën shumicën e lëvizjeve qytetare. Zakoni rutinor i mediave për t’u lenë vendin e ballit politikanëve dhe politikës ka bërë që në rrugë e sipër të sfumohen e të harrohen iniciatorët, që mund të kenë qenë grupe interesi, komunitete etj. dhe gjithçka të perceptohet si vepër e politikës.

Në raste të tilla nuk kemi të bëjmë thjesht me vjedhje kauzash e zaptim të hapësirës qytetare por, mbi të gjitha me zhvleftësim të tyre në sytë e opinionit publik. Në se dëshiron të zhbësh një kauzë qytetare, vur politikanët ta udhëheqin. Mekanizmi është i thjeshtë: besueshmëria e qytetarëve tek politikanët rezulton të jetë në kuota të mjerueshme ndaj edhe ndiqen po kaq mjerueshëm. Larg qoftë që të ndodhë kështu edhe me ligjërimin pastërmet.

Në këtë pragdimër të vështirë dhe mes kësaj situate të murrme regëtin një lajm i mirë: shoqëria jonë e sotme shfaqet e etur të mbështesë axhenda qytetare që përfaqësohen dhe çohen përpara nga qytetarë pa spaleta partish. Këtë e dëshmuan protestat studentore të fundvitit të kaluar, këtë po e dëshmon dukshëm edhe pranimi i gjerë dhe i beftë i zonjës Bozo si person publik.