Kryesore A do rikthehemi në izolim? Flet ministrja Manastirliu

A do rikthehemi në izolim? Flet ministrja Manastirliu

Dhjetëra mjekë, infermierë dhe pacientë u infektuan me koronavirus brenda mjediseve të qendrës spitalore universitare Nënë Tereza nga një infermierë.

Referuar kësaj situate ministria e shëndetësisë Ogerta Manastriliu në një intervistë për televizionin Klan pohon se ky fenomen nuk është i pazakontë.

“Duke qenë spitalet vende të ekspozuara është një fenomen e ka ndodhur dhe në vende të tjera ku ka lindur një infeksion i cili më pas për arsye të hetimit epidemiologjik dhe masave që janë marrë  është ndërprerë në kohë”.

Ministria kërkon nga bluzat e bardha në mënyrë kategorike të përdorin masat mbrojtëse gjatë ofrimit të shërbimit.

“Mjekët, infermierët i disponojnë të gjithë materialet e mbrojtjes personale….ajo çfarë duhet është vetëm zbatimi i protokolleve të sigurisë në këto spitale”

Qendra spitalore universitare Nënë Tereza ashtu si edhe 42 spitalet e vendit do të vijojnë të japin shërbim për  çdo pacient, ndërsa testit për koronavirus do t’i nënshtrohen vetëm ata që kanë simptoma.

“Kur një pacient kërkon të marr një shërbim shëndetësor por ka simptoma dhe është i dyshuar për Covid-19, atëherë atij i merret tamponi, vendoset në një dhomë të  izoluar me një staf të dedikuar i cili është i veshur dhe më pas, pas përgjigjes se tamponit vijohet me shërbimet e tjera. Në një epidemi çdo rast që të vjen përballë duhet menduar që mund të jetë rast që mund të mbart infeksionin e Covid-19, ndaj përgjigja ndaj këtij infeksioni është masat e mbrojtjes personale”.

Kthimi në izolim është një opsion që nuk mendohet nga komiteti teknik, por forcimi i rregullave dhe shtimi i kontrolleve po.

“Kthim pas nuk do të ketë, por do të ketë një kontroll  të shtuar në të gjitha nivelet. Duke shtuar inspektimet në terren nga gjithë task forca anti-covid dhe gjithashtu dhe në spitalet tona për të mos ulur në asnjë moment vigjilencën”.

Për Ministren e Shëndetësisë shtimi i rasteve menjëherë pas heqjes se kufizimeve lidhet me mos respektimin e masave anti-covid, ndaj edhe apelon që të gjithë të jenë më të kujdesshëm.