Politika A po e sanksionon Shqipëria e para Kosovën në emër të bashkësisë...

A po e sanksionon Shqipëria e para Kosovën në emër të bashkësisë Euroatlantike? Ja si përgjigjet Rama

Kryeministri Edi Rama në konferencën e jashtëzakonshme për mediat ku shpjegoi pse mori vendimin e anulimit të mbledhjes së përbashkët me qeverinë e Kosovës iu përgjigj edhe një pyetjeje në lidhje me sanksionet e ndërkombëtarëve që ai paralajmëroi.

I pyetur nëse Shqipëria dhe ai po i paraprijnë sanksioneve të bashkësisë EuroAtlantike, për të cilat paralajmëroi Prishtinën, Rama kundërshtoi, por theksoi se si kryeministër i vendit nuk mund të mos reagojë kur Kosova digjet.

“Jo, fare sepse thashë se kam disa ditë që kërkoj ta takoj. Ka qenë I zënë e mirëkuptoj. Por nuk jemi në kushtet kur mund të bëjmë një mbledhje si UFO. Shqipëria nuk është UFO të paktën, është pjesë e pandashme e njësisë Euroatlantike. Ndaj s’mund të bëjmë teatër ,me marrëveshje për bujqësinë dhe blegtorinë, ndërkohë që Kosova po digjet ngadalë por po digjet në reputacionin e saj ndërkombëtar me ata që e krijuan si shtet”, tha Rama.

Rama gjithashtu nënvizoi se “asgjë nuk ndodh” nëse Albin Kurti nuk pranon të zhvillojë takimin e formatit më të ngushtë që ai i ka kërkuar me ngulm, vetëm se duhet thënë sipas tij se “jeta vazhdon keq për Kosovën fatkeqësisht”.

“Aspak mirë edhe për kryeministrin e Kosovës”, u shpreh Rama.

Rama u shpreh se nuk ka asnjë shans që Tirana të lëvizë nga boshti i ndërkombëtarëve.

“Nuk është fjala për të zotin e hallit sepse halli është i Kosovës. Por është edhe i shqiptarëve. Halli nuk është i Kryeministrit, halli është i qytetarëve të Kosovës, i Kosovës dhe i të gjithë shqiptarëve.

E dyta, ne e kemi shumë problem sepse Shqipëria nuk është një UFO, nuk operon e izoluar dhe marrëdhënia e Shqipërisë me Kosovën është një marrëdhënie vëllazërie por Shqipëria është një shtet që është pjesë e pandashme e bashkësisë euroatlantike, është vend anëtar i NATO nuk ka asnjë shans që Shqipëria të zhvendoset nga boshti i bashkësisë euroatlantike, për më tepër ne mendojmë jo 99 por 100% njësoj siç mendojnë aleatët tanë në këtë rast. Kur disa prej partnerëve i thoshin Albinit dhe autoriteteve të Kosovës mos i mbani zgjedhjet në veri, unë isha 100% me Albinin që duheshin mbajtur”, theksoi Rama.

“Kurti-Vuçiç të painteresuar për asociacionin”, Rama: Përplasja u duhet për politikë të brendshme

I pyetur se a ka ndikuar në anulimin e mbledhjes Shqipëri-Kosovë, deklarata e Kurtit ku tha “se draftin e propozuar nga Rama, kryeministri i Shqipërisë të ja dorëzojë Presidentit serb Aleksandër Vuçiç në takimin e radhës të “Open Ballkan”, Rama u shpreh se nuk ka ndikuar aspak.

Në një konferencë për mediat, kryeministri Rama tha presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës janë bashkë në një pikë: Asociacioni.

“Ka dy njerëz që janë të painteresuar për Asociacionin dhe në këtë pikë janë bashkë, në kuptimin që janë marrë vesh, por janë të interesuar që Asociacioni të mos krijohet dhe këta janë kryeministri i Kosovës dhe i Serbisë sepse për mënyrën si e kanë të ndërtuar politikën e tyre të brendshme, ju duhet armiku i jashtëm”, tha Rama.

Edi Rama: Zero sepse siç unë them atë që mendoj, edhe Albini thotë atë që mendon dhe për mua nuk ka surpriza dhe gjëra të panjohura sepse siç më njeh ai mua, e njoh dhe unë atë dhe ai është i sinqertë në atë që thotë. Ai beson vërtetë që thotë diçka që unë duhet ta marrë në konsideratë.

Zero sepse ka dy njerëz që janë të painteresuar për Asociacionin dhe në këtë pikë janë bashkë, në kuptimin që janë marrë vesh, por janë të interesuar që Asociacioni të mos krijohet dhe këta janë kryeministri i Kosovës dhe i Serbisë sepse për mënyrën si e kanë të ndërtuar politikën e tyre të brendshme, ju duhet armiku i jashtëm.

Pse i çon Presidenti i Serbisë ushtarët në kufi me Kosovën? Mendoni ju se në mendjen më kurajoze, ai mendon se mund të futet një ushtar serb 1 metër në kufirin e Republikës së Kosovës? As që e imagjinon. Nuk i çon për të mbrojtur me armë serbët që janë në Kosovë, por për të ndezur shpirtin nacionaist të serbëve që janë në Beograd. Pse këndojnë ata që “Kosova është e jona”? Këngë mitingu pa asnjëlloj lidhje.

Pse i duhet Kosovës ky konfrontim me Serbinë? Serbia e ka humbur Kosovën në 1999 dhe nuk është më kërcënim për Kosovën, nuk ka çfarë i bën fare sepse aty është Amerika, është kjo Amerikë e cila sot është në acarimin maksimal me qeverinë e Kosovës.

Pse duhet kjo histori konfrontimi? Duhet për politikë të brendshme dhe cila është gjëja që e shpërbën figurën e armikut imagjinar në sytë e zgjedhësve të njërit e tjetrit? Asociacioni që mbyll përfundimisht mundësinë për të vazhduar lufta që këta nuk na lënë të zgjedhin, këta nuk duan të zgjidhen.

Unë jo vetëm që nuk prekem, por më vjen mirë edhe është pjesë e marrëdhënies të shëndetshme që kam me Kurtin sepse e themi atë që mendojmë. Qëllimin e kemi 1: Njohja e plotë përfundimtare ndërkombëtare e Kosovës edhe nga Serbia dhe kërkimi i faljes së Serbisë për krimet e luftës. Ndryshimi mes meje dhe Albinit, ai i do këto në fillim, por këta janë në fund. Nuk kam asnjë problem me atë që thotë Albini, por më pëlqen se e ka këtë karakteristikë, por jam i tmerruar nga ky kurs taktike elektorale e brendshme, nuk ka asgjë.