Bota Alarm në Groenlandë: Merkuri nga akullnajat përfundon në lumenj dhe det. Rrezik...

Alarm në Groenlandë: Merkuri nga akullnajat përfundon në lumenj dhe det. Rrezik për mjedisin dhe njeriun

Lajme të këqija vijnë nga Groenlanda, në zonën jugperëndimore të këtij ishulli, i cili është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, pasi sasi të mëdha merkuri po përfundojnë në lumenj dhe në det.

Por në këtë rast nuk është për faj të njeriut, sepse zhiva në fjalë vjen nga shkëmbinjtë metamorfikë që përmbajnë këtë metal në përqendrime që nuk favorizojnë zhvillimin e aktiviteteve minerare, por të mjaftueshme për të ndotur ujin në një mënyrë shqetësuese.

Arsyeja e shqetësimit buron nga fakti se ky metal toksik mund të grumbullohet në kafshët detare, të cilat janë një përbërës themelor i dietës së komuniteteve lokale.

Shkëmbinjtë që përmbajnë zhivë në Groenlandë mbulojnë zona të mëdha. Akullnajat që rrjedhin ngadalë nga zemra e ishullit të madh në det “bluajnë” shkëmbinjtë poshtë dhe bllokojnë grimcat e merkurit që transportohen dhe lëshohen përfundimisht në ujin e tyre të shkrirë.

Studimi u krye nga Jon Hawkings i Universitetit Shtetëror të Floridas dhe kolegët e tij, të cilët analizuan ujin e shkrirë që rrjedh nga skaji jugperëndimor i shtresës së akullit të Groenlandës. Studiuesit kryen dy ekspedita në Groenlandë, në 2015 dhe 2018, gjatë së cilës ata mblodhën mostra nga tre lumenj që marrin deri në 800 metra kub ujë në sekondë nga akulli i Grenlandës. Rezultatet e tyre u botuan në “Nature geoscience”.

“Përqendrimet e merkurit në këtë rajon janë të paktën 10 herë më të larta se ato të një lumi mesatar. Kjo do të thotë që uji i shkrirë është po aq i pasur me zhivë sa disa lumenj shumë të ndotur, edhe pse në këtë rast zhiva nuk u fut në ujë nga njerëzit”, shpjegon Hawkings.

Llogaritjet e bëra tregojnë se deri në 42 tonë merkur në vit mbërrijnë në det nga Groenlanda, e cila përbën rreth 10 përqind të asaj që të gjithë lumenjtë e planetit, së bashku, sjellin në oqeane.

Përqendrimet e merkurit janë ndër më të lartat e regjistruara ndonjëherë në literaturën shkencore për ujërat natyralë jo të ndotur nga aktiviteti njerëzor. Mërkuri është një nga elementët qendrorë të shqetësimit global për shkak të toksicitetit të tij. “Ndërsa zhiva lëviz lart në zinxhirin ushqimor, ajo bëhet më e përqendruar”, dhe meqenëse njerëzit janë në krye të zinxhirit, problemi është jashtëzakonisht serioz”, paralajmëron Hawkings.