Sport Bartomeu: “Gati të largohem nëse Messi qëndron”. Por në Argjentinë e bëjnë...

Bartomeu: “Gati të largohem nëse Messi qëndron”. Por në Argjentinë e bëjnë të sigurt marrëveshjen me City-n

Të tjera informacione vijnë nga Spanja në lidhje me të ardhmen e yllit argjentinas Lionel Messi, i cili dy ditë më parë i dërgoi klubit të Barcelonës një letër zyrtare, ku kërkonte aktivizimin e klauzolës që e lejon të prishë kontratën një vit para përfundimit të saj.

Kaq mjaftoi që tifozët katalanë të dalin në protestë, duke kërkuar largimin e presidentit Josep Bartomeu, të cilin e cilësojnë si shkaktarin e largimit të 6 herë fituesit të Topit të Artë, ndërsa te Barcelona kanë ende shpresa t’i ndryshojnë mendje Messit.

Kështu mediat pranë klubin “blaugrana” konfirmojnë se presidenti Bartomeu ka marrë përsipër të japë dorëheqjen nga ky post, por me kushtin që Messi të pranojë se është ai problemi dhe të bëjë prapakthehu.

“Nëse Messi pranon se unë jam problemi dhe vendos të qëndrojë me largimin tim, atëherë unë jam gati të jap dorëheqjen”, mësohet t’u ketë thënë Bartomeu disa anëtarëve të bordit drejtues të klubit katalan.

Por në Argjentinë janë rritur zërat që konfirmojnë se Messi dhe Manchester City kanë rënë dakord tashmë mbi pagën dhe kontratën.

Vetë ylli argjentinas pritet që të hënën të paraqitet nën urdhrat e Ronald Koeman, në ditën e parë të grumbullimit për përgatitjet e sezonit të ri, por në Katalunjë e kanë të qartë që do të jetë e vështirë ta shohim Messin sërish me fanellën e Barçës në fushë.