Politika Basha me Urdhrin e Farmacistëve: Njerëzit po marrin barna me listë

Basha me Urdhrin e Farmacistëve: Njerëzit po marrin barna me listë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një takim me përfaqësues të Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, ku theksin e bisedës e vuri te problemet që ndesh ky sektor në këtë kohë pandemie.

Ai hodhi akuza ndaj qeverisë, ndërsa shtoi se farmacitë janë kthyer si njësitë e tjerë tregtare ku qytetarë janë të detyruar të marrin barna me listë.

“Trajtimi i COVID ka një kosto të papërballueshme. Vetëm një paketë e vogël e trajtimit rimbursohet. Ka alarm për mungesën e barnave të rimbursueshme. Farmacitë janë bërë si dyqanet me lista borxhesh, njerëzit po marrin barna me lista. Në këtë situatë të pandemisë nuk janë marrë masa për furnizimin e barnave, dhe vaksinën e gripit”, tha ai.

Lideri i opozitës u shpreh se ndaj farmacistëve hidhen vazhdimisht akuza të pabaza, ndërkohë shtoi se përmes tenderëve sekretë maskat blihen me dyfishin e çmimit. Sipas tij, në kohën kur janë rritur numrat e të infektuarve në treg mungojnë ilaçet e rekomanduara për trajtimin e pacientëve që kanë nevojë për këtë shërbim.

“Ndaj farmacistëve hidhen akuza të pabaza, ndërkohë që në tendera sekretë maskat blihen me dyfishin e çmimit. Ka nisur një mungesë e theksuar e ilaçeve për COVID”, tha Basha.

Presidentja e Urdhrit të Farmacistëve, Diana Toma, u shpreh se sistemi farmaceutik është përjashtuar nga administrimi i pandemisë së Covid-19.

Kreu i Partisë Demokratike një ditë më parë u takua me mjekët e familjes dhe specialistë të shëndetit. Gjatë fjalës së tij, lideri i selisë blu u shpreh se autoritetet nuk po bëjnë transparencë sa i takon numrave të të infektuarve.

Sipas tij, ato janë më shumë nga se raportohen në buletinin ditor të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.