Politika Begaj pret Presidentin e Polonisë, Andrzej Duda

Begaj pret Presidentin e Polonisë, Andrzej Duda

Presidenti Bajram Begaj priti sot me nderimet e rastit presidentin e Republikës së Polonisë, Andrzej Duda, i cili do të shoqërohet në këtë vizitë edhe nga Zonja e Parë e Polonisë, Agata Kornhauser-Duda.

“I nderuar të mirëpres mikun tim Andrzej Duda së bashku me bashkëshorten e tij, 20 vite nga vizita e fundit e një presidenti polak në Shqipëri”, u shpreh Presidenti Begaj, në një postim në rrjetet sociale.

Kjo është vizita e parë zyrtare pas 20 vitesh e një presidenti polak në Shqipëri.

Pas ceremonisë së mirëseardhjes, të dy Presidentët po zhvillojnë një takim të veçantë dhe më pas do të kryesojnë delegacionet e të dy vendeve në një takim të zgjeruar, ndërsa në mbarim të takimit, të dy presidentët do të zhvillojnë një konferencë për media.

Në pjesën e dytë të ditës, në orën 16:30, të dy presidentët do të marrin pjesë dhe do t’i drejtohen me mesazhe, forumit të përbashkët ekonomik që do të zhvillohet me pjesëmarrjen e sipërmarrjeve nga të dy vendet.

Presidenti Dudaj shoqërohet në këtë vizitë nga një përfaqësi sipërmarrësish polakë, të organizuar nga Agjencia Polake e Investimeve dhe Tregtisë (PAIH).