Sport Chelsea dhe United fitojnë me përmbysje. 45 minuta për Brojën, vjen edhe...

Chelsea dhe United fitojnë me përmbysje. 45 minuta për Brojën, vjen edhe debutimi i Strakoshës në Premier League

Premier League ka përfunduar katër takimet e orës 16:00 të kësaj të shtune. Chelsea ka fituar 4-1 me përmbysje ndaj Burnley, ndërsa Manchester United përmbysi 2-1 në shtëpi Brentford-in. Në takimet e tjera, Everton fitoi 3-0 ndaj Bournemouth dhe Fulham fitoi 3-1 Sheffield United.

Ishte një ditë e madhe për Chelsea-n, që pavarësisht se e gjeti veten në disavantazh arriti të përmbyste shifrat.

Wilson Odobert shënoi për Burnley-n në minutën e 15, para se Ameen Al-Dakhi të realizonte autogol në minutën e 42. Cole Palmer shënoi me 11 metërsh duke i dhënë avantazhin bluve për herë të parë në ndeshje në minutën e 50.

Ndërsa, në minutën e 65, Raheem Sterling shënoi golin e tretë të miqve nga Londra. Nëntë minuta më vonë do të gjente rrjetën edhe Nicolas Jackson.

Armando Broja ishte titullar në këtë ndeshje duke luajtur 45 minuta të plota. Ai u zëvendësua në pushimin mes dy pjesëve. Sulmuesi kuqezi bëri një paraqitje të mirë, por është ende duke u përmirësuar pas atij dëmtimi të gjatë që pati sezonin e kaluar.

Në “Old Trafford”, Manchester United bëri edhe një herë një ndeshje jo shumë të mirë, por, megjithatë, “Djajtë e Kuq” arritën të përmbysnin rezultatin në minutat e fundit.

Golin për miqtë e realizoi Mathias Jensen në minutën e 26. Ndërsa, Scott McTominay ishte heroi i vendasve me dy golat e realizuar në minutën e tretë dhe shtatë shtesë të pjesës së dytë.

Në portë për miqtë ishte Thomas Strakosha. Gardiani kuqezi debutoi në Premier League pas një pritjeje të gjatë.