Aktualitet Çuçi: Do të reformojmë Policinë Kriminale

Çuçi: Do të reformojmë Policinë Kriminale

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, teksa po rendiste objektivat e dikasterit që drejton tha se një ndër më kryesoret është ulja e kërcënimit dhe ndikimit të krimit të organizuar. Ai tregoi edhe si do bëhet kjo. Së pari bëri me dije se do të reformohet Policia Kriminale, të cilën e sheh si nevojë emergjente.

“Objektivat janë e para dhe më kryesorja ulja e kërcënimit dhe ndikimit të krimit të organizuar. Si do bëhet kjo? Së pari me reformimin e Policisë Kriminale. Është një proces që e kemi nisur, është i gjatë dhe kompleks. Po identifikojmë pikat e forta dhe të dobëta për formën dhe mënyrën optimale të organizimit të saj në nivel qendror dhe në nivel vendor për kompetencat që duhet dhe do të ketë, për impaktin që do të ketë kjo reformë dhe që pritet të ndryshojmë edhe kuadrin ligjor si rezultat i reformimit. E them pa hezitim se kjo reformë është nervi kryesor që përshkron çdo objektiv dhe nënobjektiv të Ministrisë së Brendshme për çështje që lidhen me krimin e organizuar”, u shpreh Çuçi.

Po ashtu, ministri tha se do të zhvillohen kapacitetet e Institutit të Policisë Shkencore. Sipas Çuçit ka një marrëveshje të nënshkruar dhe shumë shpejt Policia Shkencore do të jetë në nivelin e asaj britanike.

“Me zhvillimin e kapaciteteve të Institutit të Policisë Shkencore. Një moment shumë i rëndësishëm sa i takon zbulueshmërisë së krimeve. Dhe ky institut është në një proces tërësisht transformimi dhe shumë shpejt do të operojë me kapacitete shkencore, logjistike dhe njerëzore nga më të sofistikuara falë edhe asistencës së partnerëve britanikë të cilët mund ta dini ose jo janë ndër liderët botërorë të shkencës forensike. Kemi një marrëveshje të nënshkruar dhe shumë shpejt policia shkencore do të jetë në nivelin e asaj britanike. Po pasurojmë databasat kombëtare me informacionet të lidhur sidomos me profilet e ADN, një provë e pakundërshtueshme në çdo gjykatë botërore si dhe gjurmët e gishtave duke rritur drejtpërdrejtë koeficentin e zbulueshmërisë dhe çuarjen para drejtësisë të autorëve”.

Ministri Çuçi tha se do të vijojnë me intensitet hetimet financiare dhe pasuritë që rrjedhin nga aktiviteti kriminal. Sipas tij, trendi i zbulueshmërisë është në rritje në këtë fushë. Por Çuçi tha se do të vijojnë trajnimet e oficerëve shqiptarë. Një tjetër mënyrë si do ta godasë Ministria e Brendshme krimin është edhe zgjerimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar.

“Sot që flasim sa për statistikë kemi 17 skuadra të përbashkëta hetimore me vende të ndryshme të BE”, tha Çuçi.

Ministri u shpreh se tashmë jemi edhe në një proces të transformimit të Akademisë së Sigurisë.

“Jemi në një proces të transformimit të Akademisë së Sigurisë. Është një proces që po e bëjmë bashkërisht me akademitë të sigurisë sepse janë disa të Italisë dhe ata kanë filluar të binjakëzojnë Akademinë shqiptare të Sigurisë. Besoj se shumë shpejt do të jemi në nivelin e akademive të sigurisë që ka partneri ynë strategjik, Italia”, u shpreh Çuçi.