Bota “Dhuna e tyre ka arritur në nivele ekstreme”, Biden shpall “non grata”...

“Dhuna e tyre ka arritur në nivele ekstreme”, Biden shpall “non grata” kolonët izraelitë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka vendosur sanksione ndaj 4 kolonëve izraelitë për dhunën e ushtruar ndaj civilëve palestinezë në Bregun Perëndimor

Në urdhrin e nënshkruar nga kreu i Shtëpisë së Bardhë shkruhet se dhuna ka arritur në nivele ekstreme dhe për këtë arsye nuk mund të tolerohet më.

Sanksionet do të bllokojnë individët nga aksesi në të gjitha pronat dhe asetet e tjera të SHBA.

Dhuna në Bregun Perëndimor është rritur që nga sulmi i Hamasit në Izrael më 7 tetor.

Ndërkohë më herët, gjatë ceremonisë së përvitshme të Mëngjesit të Lutjeve, presidenti amerikan tha se e sheh traumën, numrin e vdekjeve dhe shkallën e shkatërrimit në Izrael dhe Gazë dhe se e kupton dhimbjen që ndjejnë njerëzit në Amerikë dhe gjithandej në botë.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara po angazhohen në mënyrë aktive për t’i dhënë fund luftës Izrael-Hamas dhe për të sjellë paqe të qëndrueshme për popullin izraelit dhe atë palestinez, përmes zgjidhjes me dy shtete.

“Vlerësojmë dhe lutemi për ata që kanë humbur jetën dhe familjarët e viktimave. Për të gjithë ata që jetojnë në kushte të rënduara. Burra, gra dhe fëmijë të pafajshëm që mbahen peng, nën bombardime ose të zhvendosur, pa e ditur se kur do të hanë një vakt tjetër, ose nëse do të kenë çfarë të hanë. Ne, jo vetëm që lutemi për paqe, por jemi duke punuar aktivisht për paqe, siguri dhe dinjitet për popullin izraelit dhe atë palestinez. Jam i angazhuar ditë e natë, duke punuar si edhe shumë prej jush, për të gjetur mënyra për rikthimin e pengjeve në shtëpi, për të zbutur krizën humanitare dhe për të sjellë paqe në Gazë dhe Izrael, një paqe të qëndrueshme me dy shtete për dy popuj”, tha zoti Biden.