Aktualitet Donte të digjte barishtet në tokën e tij, por dogji gjithë kodrën...

Donte të digjte barishtet në tokën e tij, por dogji gjithë kodrën me ullinj, në pranga 42-vjeçari

Një 42-vjeçar është arrestuar nga policia e Fierit pasi i vuri zjarrin një sipërfaqeje të madhe pyjore në fshatin Jarua.

Ky shtetas, me qëllim djegien e barishteve në tokën e tij, ka ndezur zjarr dhe për shkak të erës, zjarri ka marrë përmasa të mëdha duke djegur 20 hektarë me bimësi, 2 hektarë vreshta dhe 400 rrënjë ullinj.

Materialet në ngarkim të tij do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, me marrjen e njoftimit se në fshatin Jarua kishte rënë zjarr dhe ishte përhapur në sipërfaqe të mëdha pyjore, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Falë veprimeve të shpejta dhe bazuar dhe në inteligjencën informative, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar të zjarrvënies, shtetasit F. Rr., 42 vjeç, banues në fshatin Jarua, Fier”, njofton policia.