Ekonomi Duopoli në tregun e telefonisë celulare penalizon qytetarët

Duopoli në tregun e telefonisë celulare penalizon qytetarët

Kërkesa e kompanisë hungareze 4iG Plc për të blerë shumicën e aksioneve të One Telecommunication sjell sipas ekspertëve përqendrim të mëtejshëm të tregut të telefonisë celulare dhe rrit mundësinë e çmimeve më të larta.

Nga Sami Curri – BIRN

Kompania hungareze “4iG Plc” njoftoi në 8 dhjetor 2021 zyrtarizimin e marrëveshjes për blerjen e 80.27% të aksioneve të kompanisë Albtelecom, që zotëroheshin nga konsorciumi turk CETEL. Pak javë më vonë, në 23 dhjetor 2021, kompania njoftoi edhe arritjen e marrëveshjes për blerjen e 98.5 për qind të aksioneve të kompanisë që zotëron One Telecommunication.

“Blerja shënon një tjetër hap në strategjinë e zgjerimit të 4iG në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në deklaratën zyrtare të 4iG. Kompania tha se priste miratimin nga autoritetet vendase, pas të cilit ajo do të ishte “lojtari më i madh në sektorin e telekomunikacionit në Shqipëri”.

Por një lëvizje e tillë në tregun e telekomunikacionit shihet me skepticizëm nga ekspertë të fushës, që frikësohen se ajo mund të çoj në krijimin e një tregu me çmime të paracaktuara.

Igli Tola, pedagog në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës thotë se transaksioni do të çojë në rritjen e përqendrimit të tregut, ku operatori 4iG do të zotërojë 57% të tij. Sipas tij kjo mund të rëndojë qytetarët. “Rritjen e mëtejshme të çmimeve … duke penalizuar dhe rënduar xhepat e qytetarëve më shumë”, shprehet Tola për BIRN.

Tregu i telefonisë celulare në Shqipëri ka qenë edhe më herët i dyshuar për oligopol dhe çmime të rëna dakord mes tre kompanive që e kontrollojnë atë. Ndryshimet e çmimeve dhe rritja e tyre kanë qenë disa herë objekt ankesash nga publiku dhe hetimesh nga Autoriteti i Konkurrencës.

Në shkurt 2020, Autoriteti pezulloi një rritje të njëkohshme dhe identike çmimesh të paketave 30 ditore dhe të rimbushjes prej kompanive Albtelekom, Telekom Albania dhe Vodafone, me dyshimin se ato “mund të përbëjnë një marrëveshje të ndaluar”. Hetimet e nisura në këtë rast dhe më herët në vitin 2019 i detyruan kompanitë të tërhiqen, nga çmimet e reja.

Rëndim për konsumatorët

Në fund të tremujorit të tretë 2021, sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, kompania ‘One’ deklaronte pothuajse 1.1 milionë përdorues aktivë ose rreth 41% të totalit të tregut.

Ndërkohë, operatori i tretë, Albtelecom, në fund të shtatorit deklaronte një pjesë tregu në nivelin 16%, ndërkohë që kjo kompani zotëron edhe rreth 26% pjesë të tregut të komunikimeve fiks. Bashkimi i këtyre kompanive në një të vetme do ta rriste prezencën e tyre në treg në 57%, ndërsa britanikët e Vodafone do të kalonin në vendin e dytë me 43%.

Igli Tola, pedagog në Fakultetin e Ekonomisë shprehet se tregu i telefonisë në Shqipëri ka pasur akuza publike për skema oligopoliste, si pasojë e marrëveshjeve të fshehta dhe karteleve.

“Dyshim ky i vërtetuar nga Raporti i Auditit të Kontrollit të Lartë të Shtetit në vitin 2020 dhe fakti që renditemi të 9 ndër 37 vendet me tarifat më të larta të telekomunikimit. Gjithë kjo situatë pritet të përshkallëzojë, me blerjen e operatorit të 2 dhe 3 e me pas shkrirja e tyre nen 1 operator të vetëm nga 4iG. Pra nga 4 operatorë që kishim para disa vitesh, sot mund të kemi vetë dy”, thotë Tola.

Edhe Besmir Semanaj, inxhinier telekomunikacion thotë se blerja e dy kompanive nga hungarezët e 4iG rrit riskun e çmimeve të fiksuara. “Por nga ana tjetër rritet risku i fiksimit të çmimeve dhe humbet konkurrenca ne treg”, thotë Semanaj. Ai po ashtu thotë se transaksioni mund të sjellë investime shtesë dhe përmirësim të teknologjisë së kompanive celulare në vend.

Megjithatë sipas Semanaj, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, AKEP, duhej të bëjë kujdes që vendi të mos mbetet me vetëm dy operatorë.

Por AKEP nuk duket se e pati këtë shqetësim. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike i tha BIRN në një përgjigje zyrtare se kishte miratuar shitjen e ONE te 4iG dhe se nga ana e këtij autoriteti nuk gjendeshin probleme në transaksion.

“AKEP bazuar nё vendimet e mësipërme ka konstatuar se nuk jemi përpara faktit të transferimit të autorizimeve individual për përdorimin e frekuencave, pasi nga sipërmarrësi “One Telecommunications” Sh.a. dhe sipërmarrësi “Albtelecom” sh.a nuk kërkohet bashkimi i shoqërive, por bëhet me dije vetëm ndryshimi i strukturës aksionare të shoqërisë”, thuhet në përgjigjen e AKEP për BIRN.

Sipas Autoritetit të Komunikimeve Elektronike, megjithëse blerësi i dy kompanive është i njëjtë, ai nuk ka njoftuar se këto kompani do të bashkohen, por vetëm ndryshimin e strukturës së tyre aksionere. Këto ndryshime sipas AKEP “nuk ndikojnë nё detyrimet e sipёrmarrёsve kundrejt organit rregullator”.

Sa i përket përqendrimit të tregut AKEP ia hodhi topin Autoritetit të Konkurrencës.

“Mbetet në kompetencë të Autoritetit të Konkurrencës, si institucion përgjegjës për mbrojtjen e konkurrencës efektive, vlerësimi apo verifikimi nëse marrëveshja e lidhur midis shoqërive paraqet kushtet apo riskun e kufizimit apo dëmtimit të konkurrencës në treg”, thuhet në përgjigjen për BIRN.

Por Autoriteti i Konkurrencës nuk ishte në gjendje të vendoste nëse blerja e dy kompanive nga një tjetër dhe reduktimi i pjesëmarrësve në treg nga 3 në 2 sillte probleme.

Në një përgjigje zyrtare Autoriteti i Konkurrencës i bëri me dije BIRN se kishte filluar një hetim të thelluar mbi çështjen bazuar mbi dyshimet se ky ishte një përqendrim horizontal.

“Transaksioni i njoftuar përbën një përqendrim horizontal, i cili mund të krijojë pozitë dominuese të palëve në marrëveshje dhe mund të sjellë mbivendosje të aktiviteteve të tyre në nivel kombëtar”, thuhet në vendimin e Autoritetit të Konkurrencës për hapjen e hetimit.

Kjo procedurë do i japë Autoritetit tre muaj kohë për të vendosur nëse do të miratojë përftimin e kontrollit të shoqërisë “Albania Telecom Invest AD” e cila zotër One Telecommunication nga shoqëria “4iG Nyilvanosan Mukodo Reszvenytarsasag”.

Kjo është shitja e tretë brenda një harku kohor të tre viteve e ONE Telecommunications. Transaksioni i fundit ndodhi kur konsorciumi i Albania Telecom Invest e bleu operatorin e dytë më të madh të shërbimeve celulare në Shqipëri, Telekom Albania, në fillim të vitit 2019 për 50 milionë euro.

Në njoftimin zyrtar për blerjen kompania 4iG thotë se ONE Telecommunications ishte kompania me rritjen më të shpejtë në treg me 68.1 milionë të ardhura vjetore dhe me fitime para taksave prej 20.8 milion eurosh.

Aksioneri i kryesor në ONE, Elvin Guri në qëndrimin e tij për këtë shitje thotë se do të sjellë ndryshim për mirë në tregun shqiptar të celularëve. “Ne jemi të sigurt se, në duart e aftë të 4iG, One Telecommunications dhe punonjësit e saj do të vazhdojnë të lulëzojnë,” tha ai.

Grupi hungarez 4iG duket se ka një strategji të shpejtë për tu futu në tregjet e Europës Qendrore dhe Lindore. Në fillim të vitit 4iG mori në kontroll edhe operatorin më të madh në Mal të Zi, Telenor Montenegro. Ndërsa për blerjet në Shqipëri të Albtelecom dhe ‘One’, transaksioni financiar nuk bëhet me dije.