Bota E gjithë bota proteston, përplasje mes qytetarëve dhe policisë anekënd globit

E gjithë bota proteston, përplasje mes qytetarëve dhe policisë anekënd globit

Protestuesit dhe policia u përleshën përgjatë gjithë natës ne kampuset universitare dhe zonë të tjera të Hong Kongut, disa orë pasi një zyrtar i lartë i policisë tha se qyteti i udhëhequr nga Kina, po shkonte drejt kolapsit.

Forcat e rendit hodhën gaz lotsjellës ndaj aktivistëve që bllokuan rrugët, u vunë zjarrin automjeteve e hodhën bomba Molotov. Sipas policisë, dhuna ka arritur nivel vdekjeprurës, dhe efektivët do të përgjigjen duke përdorur forcën.

Trazirat kanë përfshirë prej disa javësh edhe kryeqytetin e Irakut, Bagdad. Forcat e sigurisë hodhën gaz lotsjellës për të mos lejuar protestuesit të kalonin urën Sinak, e cila çon drejt zonës ku gjenden godinat qeveritare dhe ambasadat e huaja.

Të paktën 300 protestues janë vrarë që prej 1 tetorit, kur nisën manifestimet kundër korrupsionit, papunësisë dhe shërbimeve të dobëta publike.

Rrugët kryesore u mbyllën në Liban të mërkurën mes protestave të reja kundër presidentit Michel Aoun. Fjalimi i tij televiziv ndezi edhe më shumë revoltën kundër korrupsionit në politikë, dhe një person u qëllua për vdekje.

Vazhdon të jetë kaotike situata edhe në Kili, ku protestat nisin një muaj më parë kundër rritjes së çmimit të biletave të metrove. Trazira po reflektohen edhe në monedhën kombëtare,  e cila pësoi një rënie rekord të martën ndërsa protestuesit nuk shfaqin shenja për tërheqje.

Pamje të ngjashme vijnë edhe nga Katalonja, ku manifestuesit bllokuan për të disatën ditë radhazi autostradën që lidh Spanjën me Francën. Policia përdori gaz lotsjellës për pastrimin e kampeve të protestuesve. Një grup i fshehtë i quajtur “Cunami demokratik” ka marrë përgjegjësinë për trazirat që synojnë të kthejnë vëmendjen kombëtare tek lëvizje katalanase për pavarësi.