Aktualitet “Erdha nga Laçi pa X5”/ Parullat më pikante në protestën kundër rritjes...

“Erdha nga Laçi pa X5”/ Parullat më pikante në protestën kundër rritjes së çmimeve

Qindra qytetarë protestuan këtë të mërkurë përpara Kryeministrisë ndaj rritjes së çmimit të naftës dhe produkteve të shportës së konsumit.

Ata thanë se janë të gatshëm të marrin përsipër kostot e krijuara nga lufta në Ukrainë, por jo të përfitohet nga kjo situatë për të rritur abuzivisht çmimet.

Protestuesit kërkuan nga qeveria që të ndërhyjë përmes masave për të lehtësuar bizneset dhe konsumatorët, ashtu siç ka ndodhur në vendet fqinje.

“Na hoqët përsheshin me qumësht”, “Subvencione baraz gënjeshtra”, “Erdha nga Laçi pa X5”, ishin disa nga pankartat që qytetarët mbanin në duar.

Protestë pati edhe në Durrës ku qytetarët fikën makinat duke bllokuar rrugët që të çojnë në qendër të qytetit.

Në Shkodër qytetarë e aktivistë të shoqërisë civile në shenjë proteste bllokuan për disa minuta urën e Bahçellëkut.

Brenda një jave çmimi i karburantit në vendin tonë ka pësuar dy rritje të ndjeshme, çka më pas është shoqëruar edhe me rritje të çmimeve të disa produkteve ushqimore.