Bota Gjykata urdhëron presidentin e Brazilit: Vendos maskë në publik, ndryshe do gjobitesh

Gjykata urdhëron presidentin e Brazilit: Vendos maskë në publik, ndryshe do gjobitesh

Një gjykatës brazilian ka urdhëruar Presidentin Jair Bolsonaro që të vendosë një maskë në publik, sipas një vendimi të gjykatës të lëshuar të martën, pasi populisti i krahut të djathtë ishte pa maskë në dy mitingje politike në kryeqytet, raporton Reuters.

Gjykatësi federal Renato Borelli tha se Bolsonaro do të gjobitej me 2 000 reais në ditë (387 dollarë) nëse ai vazhdonte të mos i bindej një dekreti nga Rrethi Federal i kryeqytetit Brazilia, për të frenuar përhapjen e COVID-19.

Brazili është vendi i dytë më i prekur rëndë në botë pas Shteteve të Bashkuara, dhe të dielën, me më shumë se një milion raste infeksioni, kaloi zyrtarisht pragun e 50,000 vdekjeve të lidhura me COVID-19.

“Trump-i tropikal”

Bolsonaro, i njohur gjithashtu si “Trump-i tropikal”, shpesh është shënjestra e kritikave për mënyrën se si ai menaxhon krizën e koronës.

Presidenti brazilian po vazhdon të zvogëlojë shkallën e epidemisë, duke mbrojtur hapjen e ekonomisë dhe tashmë ka shkarkuar dy ministra të Shëndetësisë dhe ka emëruar një ish-gjeneral në post, i bindur se ai do të udhëheqë mirë sektorin.

Bolsonaro e sheh distancimin shoqëror si një masë që është më shkatërruese për ekonominë sesa vetë virusi.