Aktualitet “Hajde merreni! E keni të vrarë tek shtëpia…” Dan Hutra, autori i...

“Hajde merreni! E keni të vrarë tek shtëpia…” Dan Hutra, autori i masakrës së Paskuqanit vrau edhe ish-të fejuarën në 2007

Dan Hutra është autori i dyshuar i vrasjes së dyfishtë në Paskuqan që ndodhi këtë të mërkurë (1 Mars 2023). Ai qëlloi për vdekje motrën dhe kunatën e ish-bashkëjetueses, ndërsa kjo e fundit dhe ish-vjehrra mbetën të plagosura.

Hutra, rreth 40 vjeç, është emër i njohur për policinë dhe drejtësinë. Historia e tij e përballjeve me ligjin fillon që në vitin 2003. Asokohe ai ka qenë i dënuar për heqje të lirisë së nënës së kunatës së tij dhe përdhunimin e kunatës tjetër. Për këtë krim ai ka vuajtur vetëm 3 vite burg.

Pasi ka dalë nga burgu, Hutra u fejua me Dafina Havaljan, e cila do të përfundonte në tragjedi. Më 11 Dhjetor 2007, Hutra vret ish-të fejuarën.

Në Mars të vitit 2009, Hutra do të dënohej me 24 vjet burg për vrasje me paramendim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar atij i mbetën për të vuajtur vetëm 16 vjet burg. Sipas Prokurorisë së Tiranës, Hutra dhe Havalja jetonin në një banesë me qira tek Fusha e Aviacionit.

Hutra, i sapo ardhur nga emigrimi, dyshonte se e fejuara e tradhtonte. Pas 8 muajsh fejesë ai ka marrë thikën dhe e goditi disa herë në zemër, goditje këto që i sollën vdekjen e menjëhershme 22-vjeçares nga Klosi i Dibrës.

Akuza argumentoi asokohe se fejesa e tyre ka qenë e mbushur me debate dhe tensione. Por një mëngjes Dhjetori në vitin 2007 pas zënkave, Hutra u largua nga shtëpia. Vajza telefonoi prindërit që të shkonin ta merrnin pasi nuk donte të jetonte më me të. Pasi u kthye sërish në banesë, Hutra është vënë në dijeni të telefonatës dhe kërkesës së saj për t’i dhënë fund lidhjes.

Në këtë moment ai ka marrë thikën dhe e ka goditur në zemër. Pas krimit, Hutra mblodhi rrobat e veta, u largua nga banesa dhe lajmëroi familjarët e vajzës.

“Hajde merreni! E keni të vrarë tek shtëpia”, ka qenë telefonata që ai i ka bërë prindërve të saj. Hutra u kap pas te ditësh arratisje në afërsi të Kukësit. Gjatë kohës që ka qenë i paraburgosur, Hutra ka tentuar që të vrasë veten në qeli.

Ky është profili i Hutrës i cili shkaktoi masakrën në Paskuqan. Por si të mos mjaftonte kjo listë e gjatë e dënimeve të tij, Hutra nuk i kishte mbushur dy javë që ishte liruar sërish në burgu. Kësaj radhe për dhunë. Më 16 Qershor të vitit të kaluar ai ishte vënë në pranga, por u lirua më 16 Shkurt të 2023-shit për dhunë në familje.