Politika Heqja e imunitetit, Bardhi mbron Berishën: Ndryshe nga rasti i Ahmetajt, SPAK...

Heqja e imunitetit, Bardhi mbron Berishën: Ndryshe nga rasti i Ahmetajt, SPAK nuk solli asnjë provë

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi pas mbledhjes së përbashkët me Rithemlimin, akuzoi Këshillin e Mandateve se në mbledhjen e djeshme ku u shqyrtua kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të Sali Berishës, ka marrë një vendim në kundërshtim me Kushtetutën dhe Kodin Penal.

Sipas Bardhit, prokurorët e SPAK kanë dorëzuar në Kuvend vetëm një relacion 5 faqe dhe asnjë dosje me prova për Berishën, ndryshe nga çfarë bën në rastin e ish/zvkryeministrit Arben Ahmetaj.

“Grupi Parlamentar i PD ka analizuar sot veprimet arrogantë të mazhorancës që synojnë asgjësimin e opozitës dhe ka shprehur vendosmërinë për të vijuar aksionin tonë deri në rikthimin e çdo të drejte që opozitës ia garanton Kushtetuta. Në emër të grupit shpreh keqardhje për standardet e dyfishta që ndjekin kolegët e mazhorancës. Kur bëhet fjalë për deputetë të mazhorancës ka efekt imuniteti i deputetit dhe parashikimi i nenit 73 të Kushtetutës, ndërsa kur bëhet fjalë për opozitarë, kundërshtarë të Edi Ramës nuk bëhet fjalë çfarë parashikon Kushtetuta. Në gjykimin tonë, bazuar edhe në praktikën që ky Kuvend ka ndjekur edhe më parë, ndalimi i daljes jashtë shtetit dhe detyrimi i paraqitjes do duhet patjetër të autorizohet nga Kuvendi. Kuvendi dje ka marrë një vendim në Këshillin e Mandateve pa u ndjekur standardet që përcakton neni 288 i Kodit Penal që e detyron Prokurorinë të sjellë një relacion të arsyetuar, të shoqëruar me prova. Dosja e ardhur në Kuvend nuk ka pasur asnjë provë. Për ne është e papranueshme që për rastin e deputetit të PS, Arben Ahmetaj, Prokuroria ka paraqitur një relacion me 199 faqe dhe një CD me prova, konkretisht 1400 faqe. Për kërkesën ndaj zotit Berisha ka pasur vetëm një relacion me 5 faqe dhe asnjë provë shoqëruese. Kuvendi nuk është organ që zëvendëson masat e sigurimit personal ndaj një individi. Është strukturë politike që gjykon mbi bazën e autoritetit që i ka dhënë Kushtetuta. Jep apo nuk jep autorizim për heqjen e lirisë së një deputetit. Për këtë Prokuroria duhet të vijë e përgatitur me dokumentacionin e plotë”, tha Bardhi.