Extra I riu shqiptar gjen kuletën e aktores Meryl Streep me 2 mijë...

I riu shqiptar gjen kuletën e aktores Meryl Streep me 2 mijë USD dhe e kthen, gazetari i CNN: Nuk pranonte as shpërblimin

Gazetari i njohur i CNN Bill Weir rrëfen një ngjarje të këndshme në një postim në rrjete sociale.

“Një djalë i këndshëm nga Kosova, që punon në ndërtesën time ka gjetur një kuletë në rrugë me 2,000 dollarë brenda. Kontrolloi ID-në, ishte Meryl Streep”, ka shkruar Weir.

“Babai gjithmonë më thotë se nëse diçka nuk është e jotja, ajo nuk të përket”, ka thënë i riu nga Kosova kur ka biseduar me Weir mbi rastin.

Ndonëse i është ofruar shpërblimi për veprimin e tij, ai e ka refuzuar deri në këmbënguljen e Streep që ta pranojë atë.

“Ai refuzoi shpërblimin, derisa Meryl insistoi. Njerëz të mirë”, ka shkruar në fund ai.

Weir ka sqaruar se në të njëjtën ndërtesë, ku ka ndodhur ngjarja, nuk jeton vetë Meryl Streep, por vajza e saj – dhe sigurisht – kur e ka humbur kuletën, aktorja e famshme duhet të ketë qenë për një vizitë te ajo.