Politika Juristi i Metës pas seancës në Kushtetuese: Procesi hetimor i diktuar me...

Juristi i Metës pas seancës në Kushtetuese: Procesi hetimor i diktuar me urdhër

Një proces hetimor politik dhe të diktuar me urdhër e ka konsideruar këshilltari ligjor i Presidenti Meta, Bledar Dervishaj procesin e nisur për shkarkimin e kreut të shtetit. Në një deklaratë për mediat pas seancës në Gjykatën Kushtetuese, e cila shtyu për të hënën  vendimin, Dervishaj tha se shkaqet që nisën procesin hetimor për shkarkimin e presidenti nuk legjitimonin ngritjen e komisioni hetimor. Sipas tij nuk ka patur lëndë për të iniciuar procesin e shkarkimit të presidentit sipas asaj që dikton kushtetuta.

“Në kushtetutën tonë që në preambul dhe nenet fillestare përmendet parimi proces i rregullt ligjor dhe kur nuk realizohet nga kuvendi ne nuk kemi të merremi me asgjë tjetër se do të prodhonte pavlefshmëri të të gjithë produktit të tij dhe për një arsye tjetër se të gjitha shkaqet për të cilat në mënyrë fiktive që kuvendi i legjislaturës së kaluar inicioi një proces hetimor, politik, fiktiv të diktuar me urdhër, nuk ishin nga ato që ta legjitimonin ngritjen e një komisioni të asaj natyre, sepse nuk ka pasur e nuk ka dhe nuk ka patur lëndë për të iniciuar procesin e shkarkimit të presidentit sipas asaj që dikton kushtetuta”.

Ai sqaroi se materiali mbrojtës në Gjykatën kushtetuese bashkangjitur provave përbëhet nga 170 faqe, ndërsa kujtoi që presidenti ka kërkuar që shqyrtimi kushtetues të përfundonte brenda legjislaturës së kuvendit të vjetër.

“Besoj se i dëgjuat live, ishte një material 170 faqe, materiali mbrojtës bashkangjitur provave. Presidenti ka kërkuar që prej 1 korrikut që ky shqyrtim kushtetues të përfundonte brenda legjislaturës së kuvendit të vjetër që investoi më kot Gjykatën Kushtetuese”.