Kryesore Kapet sërish kokainë në kontejnerët e “Alba Exotic Fruit”

Kapet sërish kokainë në kontejnerët e “Alba Exotic Fruit”

Një tjetër sasi prej 7.7 kilogramë kokainë është zbuluar në Portin e Durrësit.

Policia thotë se lënda narkotike u gjet e fshehur në një prej kontejnerëve të ngarkuar me banane të ardhura nga Ekuadori të porositura nga kompania ‘Alba Exotic Fruit’.

Ajo ishte fshehur në pjesën fundore të kapakëve të motorëve frigoriferikë të kontejnerit. Policia thotë se kapja e drogës ishte bërë në kuadër të operacionit Rada që ka nisur që në Korrik të këtij viti kur në kontejnerët e së njëjtës kompanie u zbulua 3 herë drogë e fshehur në kontejnerët me banane me një total rreth 25 kilogramë kokainë.

Për këtë arsye që prej 13 korrikut ndodhet në qeli menaxheri i kompanisë Bajron Gumeni, ndërsa është shpallur në kërkim administratori Eduard Dauti.

Kjo është hera e katërt që në kontejnerët e kësaj kompanie zbulohet kokainë.