Bota U tall me Presidentin Erdogan, Turqia nis hetimet për revistën Charlie Hebdo

U tall me Presidentin Erdogan, Turqia nis hetimet për revistën Charlie Hebdo

Turqia është zotuar se do të ndërmarrë veprime ligjore diplomatike lidhur me karikaturën e Presidentit Rexhep Taip Erdogan që u botua nga revista satirike franceze Charlie Hebdo.

Karikatura satirike është tallje e Presidentit Erdogan, ndërsa Prokuroria e Përgjithshme në Ankara ka hapur një procedurë gjyqësore për revistën satirike franceze Charlie Hebdo, duke kërkuar hetim për karikaturën e Presidentit Rexhep Taip Erdogan në kopertinën e botimit të saj të ri. Lajmi është bërë i ditur nga mediat turke, ndërkohë që presidenca e Ankarasë ka bërë të ditur se do të ndërmarrë “veprimin e nevojshëm gjyqësor dhe diplomatik” kundër karikaturës.

Tensionet mes Turqisë dhe Francës u rritën gjatë ditëve të fundit, pasi Presidenti francez Macron deklaroi se do të mbajë një qëndrim më të ashpër kundër radikalizmit. Reagimi i Macron erdhi pas vrasjes brutale disa ditë më parë të një mësuesi të cilit iu pre koka nga një person i dyshuar si radikal islamik.

Nga ana tjetër, Erdogan u ka bërë thirrje turqve që të refuzojnë mallrat franceze, ndërsa tha se Presidenti i Francës duhet të kontrollohet mendërisht.

Të martën, avokati i Erdoganit kishte depozituar një ankesë tek e njëjta Prokurori e kryeqytetit turk kundër udhëheqësit të ekstremit të djathtë holandez Geert Wilders për një karikaturë tjetër të tij, të përhapur në Twitter.