Bota Kokteji eksperimental që shëroi presidentin Trump nga Covid-19

Kokteji eksperimental që shëroi presidentin Trump nga Covid-19

Dr. George Yancopoulos

Lajmi se presidenti amerikan, Donald Trump, u infektua me Covid vuri në pikëpyetje për pak ditë vazhdimësinë e fushatës. Por pretendenti për një mandat të dytë u kthye shumë shpejt në “fushën e betejës”  falë një trajtimi të ri. Kokteji eksperimental i antitrupave monoklonal të “Regeneron Pharmaceuticals” u përdor për të trajtuar Presidentin e SHBA, Donald Trump, për koronavirusin e ri. Lidhur me këtë trajtim novator, gazeta greke “Ekathimerini” i ka marrë një intervistë presidentit dhe zyrtarit kryesor shkencor të kompanisë amerikane të bioteknologjisë, Dr George Yancopoulos.

Si u mor vendimi për të administruar koktejin e antitrupave tek Presidenti Trump?

Ne u kontaktuam nga Shtëpia e Bardhë në 1 tetor, vetëm dy ditë pasi kishim njoftuar rezultatet e provave klinike. Ne e nisëm procesin dhe morëm autorizimin e urgjencës nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave për të administruar koktejin. Siç mund ta kuptoni, pati diskutime të gjera me ekipin mjekësor të presidentit dhe ne vendosëm të ecnim përpara sepse ai ishte kandidati ideal.

Çfarë e bën kandidatin ideal?

Ky koktej është veçanërisht i efektshëm në pacientët në fazat e hershme të Covid-19, me një ngarkesë të lartë virale, të cilët kanë simptoma të lehta deri të moderuara dhe trupi i të cilëve nuk ka pasur rast – ose nuk mundet për shkak të një sistemi të dobët imunitar – të prodhojë antitrupa. Faktori i fundit është absolutisht thelbësor. Dhe sigurisht që nuk rekomandohet për njerëzit që kanë një rrezik të lartë të efekteve anësore të sëmundjes për shkak të moshës ose problemeve themelore shëndetësore.

Sa efektiv është kokteji, saktësisht?

Nëse administrohet në kohën e duhur, mund të zvogëlojë nivelin e ngarkesës virale me 99%. Mbrojtja që ai ofron gjithashtu zgjat disa muaj.

A do të thotë kjo se Presidenti Trump tani do të ketë antitrupa për disa muaj?

Saktësisht. Në fakt, mjekët e tij zgjodhën që atij t’i jepej doza më e lartë e mundshme, 8 gramë. Doza e zakonshme e administruar tek pacientët është 2.4 gram. Ishte vendimi i tyre – mbase tepër i zellshëm – që synonte t’i jepte presidentit rezultatin më të mirë të mundshëm dhe një periudhë më të madhe, mbase, të mbulimit, edhe pse këto janë gjëra për të cilat nuk kemi ende një panoramë të plotë. E vetmja gjë që dimë me siguri është se doza më e lartë nuk përmban praktikisht asnjë rrezik për pacientin.

Pra, kokteje me antitrupa apo vaksinime? Ku është fokusi?

Këto janë dy gjëra të ndara. Antitrupat u jepen njerëzve që janë tashmë të sëmurë, për t’i trajtuar ato. Qëllimi i një vaksinimi është të mbrojë njerëzit nga infektimi dhe mund t’u jepet miliona njerëzve në të gjithë botën, gjë që nuk është e mundur me një koktej antitrupash. Pra, në një kuptim, një vaksinim është më i dobishëm sepse do të kontribuojë në ndërtimin e një muri të fuqishëm të imunitetit kundër virusit. Nga ana tjetër, ka gjithmonë njerëz që janë të prekshëm ose të moshuar, dhe në raste të tilla efektiviteti i vaksinimit është më i ulët, kështu që këtu mund të jetë kontributi ynë më i madh.

Për t’u kthyer në çështjen praktike, sa doza të koktejit mund të prodhoni?

Kapaciteti ynë i prodhimit tani është gati 100 000 doza në muaj. Nuk është e mjaftueshme – ne e dimë. Duke filluar nga janari, megjithatë, ne do të punojmë me firmën farmaceutike Roche dhe besojmë se mund të shpërndajmë 250 000 doza në muaj ose më shumë.

Derisa të ndodhë kjo, si zgjidhen pacientët që marrin koktejin tuaj me antitrupa?

Ne kemi nënshkruar një marrëveshje me qeverinë e SHBA për ta furnizuar me 300 000 doza deri në fund të vitit 2020. Pra, u takon atyre të vendosin se ku do të shkojnë, jo ne. Kokteji jepet falas dhe jam i sigurt se shpërndahet në mënyrë të drejtë dhe të duhur, tek pacientët që kanë më shumë nevojë për të.

Si do ta përshkruanit situatën në Shtetet e Bashkuara tani për sa i përket pandemisë?

Fatkeqësisht, kemi shumë raste të reja çdo ditë dhe shumë pacientë që vdesin pasi paraqesin komplikime nga sëmundja. Kjo është arsyeja pse SHBA – si pjesa tjetër e botës – ka nevojë për trajtime dhe një vaksinë. Dhe kjo është arsyeja pse ne nuk mund të flemë!