Aktualitet “Komandojnë të huajt, shqiptarët marrin vetëm përqindje”, i riu që u largua...

“Komandojnë të huajt, shqiptarët marrin vetëm përqindje”, i riu që u largua me gomone drejt Britanisë: Kam parë tmerre, kishte nëna me foshnje

Andi Allushi është mes shumë të rinjve që ka zgjedhur të udhëtojë drejt Britanisë së Madhe me gomone për një të ardhme më të mirë.

Në një intervistë për “Opionion” ai ka treguar kalvarin e udhëtimit deri në mbërritjen e tij në destinacion.

“Varet nga deti sa zgjat. Nëse ka shumë dallgë është shumë i vështirë kalimi. Kemi bërë 5 orë deri kur ndahet deti francez nga deti anglez. Na ka shoqëruar policia franceze nëse ishim mirë dhe kishim nevojë për diçka. Nuk zbritëm. Lajmëruam policinë. Erdhi një anije e madhe që na mori.

Në Angli na morën dhe na çuan në kamp. Pyetja që më kanë bërë është nëse kam qenë herë tjetër në Angli. Ditën e katërt na dërguan në hotel. Hoteli është i paguar nga britanikët. Shkonte deri në 5 mln paund në muaj vetëm për refugjatët. Duhet të bëjmë një kërkesë për të marrë një leje qëndrimi 2-vjeçare”, u shpreh ai.

Allushi shton se synon që në të ardhmen të marrë pranë vetes dhe familjen e tij por nuk do e bënte këtë me gomone. Kjo pasi shton Andi, gjatë rrugës ka para shumë situata të tmerrshme duke nisur që nga nënat me foshnje që udhëtojnë për orë të tëra me gomone në det.

“Pagesa bëhet kur unë kaloj ujërat e Francës. Nëse kthehem në Francë nuk paguaj asgjë. Kur më kap policia britanike jam i detyruar të bëj pagesën. Kishte shumë shqiptarë. Shumica nga Shkodra, Kukësi, Tropoja. Te grupi im unë isha i vetmi tirons. Na shpërndanë në hotele.

Kam parë tmerre me familjarë. Me fëmijë të vegjël. Nënë me foshnje me vete që nuk kishte asnjë vjeç fëmija. Ka pasur raste kur ka shkuar deri në 12 orë. Kishte lloj-lloj kombësie. Arab, afgan, maroken. Të huajt e komandojnë, shqiptarët marrin vetëm një përqindje. Nuk e kanë idenë si keqtrajtohen refugjatët që nisen nga njerëzit që kanë çadra”, tha ai.