Politika KQZ nuk shkarkon nga detyra kryebashkiakun e Mallakastrës

KQZ nuk shkarkon nga detyra kryebashkiakun e Mallakastrës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e shkarkoi nga detyra kryebashkiakun e Mallakastrës, Qerim Ismailaj, edhe pse rezulton i dënuar me 3 vite burg në Greqi.

Ky vendim u mor në mbledhjen e sotme të KQZ-së, i cili u njoftua nga kreu i këtij institucioni, Ilirjan Celibashi.

“Në rastin konkret leximi i opinionit të prokurorisë na thotë se vepra penale këtu dënohet me gjobë. Komisioneri nuk mund të bëjë lexim tjetër përveç kësaj. Sipas këtij opinioni, subjekti është dënuar për kundravajtje penale për të cilën është dënuar me gjobë. Ismailaj nuk përfshihet në kushtet e shkarkimit, vazhdon mandatin”, u shpreh Celibashi.

Ndërkohë, gjatë seancës së sotme, avokati i kryebashkiakut, Besnik Strati u shpreh se “Interpol Athina” thotë se nuk rezulton të ketë ndalesë për Ismailaj.

“Ismailaj ka qenë thjesht i përfshirë, por nuk ka dëmtuar askënd dhe ka qenë në koma për shkak të rrahjes. Ka qenë i dëmtuari dhe jo ai që ka shkaktuar veprën penale. Nuk ka marrë asnjëherë dijeni për hetimin dhe nuk është mbrojtur kurrë në gjykatë”, tha ai.

Avokati tregoi se klienti i tij ka pasur hyrje, dalje të shumta në Greqi dhe nuk është ndaluar kurrë.

Ndërsa, përfaqësuesi i PD-së, Ivi Kaso u shpreh se ka qenë kjo parti, e cila ka vënë në lëvizje hetimin e thelluar për kryebashkiakun e Mallakastrës dhe se ka qenë në kushtet e ndalimit kur është zgjedhur në krye të kësaj bashkie.