Politika Kundërpërgjigjet Rusia, dëbon sekretaren e parë të Ambasadës shqiptare në Moskë

Kundërpërgjigjet Rusia, dëbon sekretaren e parë të Ambasadës shqiptare në Moskë

Rusia do të dëbojë një diplomate shqiptar si kundërpërgjigje për largimin e diplomatit rus nga Tirana dy javë më parë.

Vendimi është bërë i ditur nga ministria e Jashtme ruse raporton agjencia ruse e lajmeve RIA, e cila saktëson se është caktuar një afat prej 72 orësh për diplomaten shqiptare, për t’u larguar nga territori i Rusisë.

Bëhet fjalë për Sekretaren e Parë, Jonida Drogu e cila është shpallur “non grata” me të njëjtin veprim siç bënë autoritet shqiptare.

“Më 8 shkurt, ambasadori shqiptar në Rusi, Arben Gazioni është thirrur në Ministrinë e Jashtme dhe është njohur me letrën ku Sekretarja e Parë e ambasadës shqiptare është shpallur person non grata”, thotë ministria e Jashtme e Rusisë, citon agjencia ruse e lajmeve TASS.

“Ky hap është marrë si përgjigje për vendimin e Shqipërisë për të dëbuar Sekretarin e Parë të Ambasadës ruse në Tiranë me pretekst të trilluar”, thuhet më tej në reagimin e ministrisë së Jashtme të Rusisë.

Në fund të muajit janar, ministria e Jashtme e Shqipërisë shpalli person “non grata” një diplomat rus për shkak të shkeljeve të përsëritura të rregullave kundër COVID-19.

Por, Rusia e konsideroi këtë argument si “pretekst” duke e cilësuar vendimin si “provokim” dhe paralajmëroi se do të kundpërgjigjej për këtë hap.

Kurse ambasada e ruse në Tiranë reagoi pas vendimit të qeverisë shqiptare për dëbimin e diplomatit rus, Alexey Krivoshev, duke thënë se vendimi nuk është bazuar në asnjë provë.

Ndërkohë që nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë thuhet se në drejtim të Krivosheev ka pasur ankesa dhe denoncime të vazhdueshme dhe pavarësisht paralajmërimeve të bëra, diplomati nuk ka reflektuar, madje ka vijuar me sjelljen e tij neglizhuese.