Politika Kushtetuesja rrëzon vendimin e qeverisë për shkarkimin e Zef Hilës nga kreu...

Kushtetuesja rrëzon vendimin e qeverisë për shkarkimin e Zef Hilës nga kreu i bashkisë së Vaut të Dejës

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar vendimin e Këshillit të Ministrave, i cili mban edhe firmën e kryeministrit Edi Rama për shkarkimin e kreut të Bashkisë së Vaut të Dejës, Zef Hila.

Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese theksohet se është shkelur e drejta e Zef Hilës për t’u njoftuar dhe për t’u dëgjuar.

“Si përfundim, Gjykata, bazuar në analizën e të gjitha pretendimeve të kërkuesit, vlerëson se kërkesa e tij duhet pranuar në objektin e saj, pasi është cenuar procesi i rregullt ligjor në aspektet e së drejtës për t’u njoftuar dhe për t’u dëgjuar, si dhe të standardit të arsyetimit të vendimit”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Zef Hila u shkarkua në prag të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019 me propozim të ish-ministrit Sandër Lleshaj, pasi u dogj KZAZ-ja nr. 6 në Bushat.

Aktualisht z. Hila është zgjedhur deputet në zgjedhjet e 25 prillit si i 5-ti nën siglën e Partisë Demokratike në qarkun e Shkodrës.

Madje ai ishte një nga emrat që u verifikua nga prokuroria në bazë të ligjit të dekriminalizimit, por nuk rezultoi në kushtet e ndalimit.