Aktualitet “Lloje droge të panjohura më parë”, Balla flet pas megaoperacionit kundër lëndëve...

“Lloje droge të panjohura më parë”, Balla flet pas megaoperacionit kundër lëndëve narkotike

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, e cilësoi megaoperacionin antidrogë “vetëm fillimin e një rrugëtimi të ri në luftën pa kompromis kundër lëndëve narkotike”, duke nënvizuar se janë sekuestruar edhe lloje substancash që ishin të panjohura më parë në Shqipëri.

Bëhet fjalë për kanabis të rritur në kushte laboratorike, e që vinte në Shqipëri me postë në Kanadaja i fshehur në konserva peshku.

“Ky operacion shënon vetëm fillimin e një rrugëtimi të ri në luftën pa kompromis kundër prodhimit, trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike të çdo lloji në vendin tonë. Operacioni shënoi rezultate impresionuese”, tha Balla.

“Të gjithë biem dakord se përdorimi i substancave narkotike ka marrë përmasa të reja, të panjohura më parë. Ka një numër në rritje të përdoruesve në vendin tonë. Nga viti në vit, po përbën një trend në rritje, por më problematike është se po ulet mosha e atyre që përdorin për herë të parë lëndë narkotike. Është shtuar përdorimi edhe i rrogave sintetike, që paraqet rrezikshmëri të lartë për jetën e tyre. Gjatë kontrolleve janë zbuluar lloje droge që ishin të panjohura më parë në Shqipëri. Këto të dhëna janë një kambanë alarmi, por institucionet, shkolla dhe shoqëria duhet të luftojnë të gjithë së bashku”, theksoi më tej Balla.

Në fund, ministri i Brendshëm tha se do të propozojë dyfishim për dënimin e krimeve që ndodhin brenda perimetrit të sigurisë së shkollave.