Aktualitet Makina e djegur me 32-vjeçarin të pajetë brenda, policia dyshon për vetëvrasje

Makina e djegur me 32-vjeçarin të pajetë brenda, policia dyshon për vetëvrasje

Një automjet është djegur dje në mbrëmje rreth orës 22:30, në rrugën e vjetër Elbasan-Krrabë në vendin e quajtur Kryqi.

Brenda makinës tip “Volkswagen” u gjet një person i pa jetë, trupi i të cilit ishte karbonizuar si pasojë e flakëve.

Policia mësoi se viktima është 32-vjeçari Armand Mici, lindur e banues në Elbasan. Pas hetimeve paraprake dyshohet për vetëvrasje, pasi i riu kishte probleme me depresionin.

Sipas njoftimit të policisë është dokumentuar se viktima ka blerë një sasi lënde djegëse benzinë në një pikë karburanti pak para ngjarjes ndaj dyshimet janë se ai është vetëdjegur. Gjithsesi nga grupi hetimor vazhdon kryerja e veprimeve të mëtejshme. Mici nuk kishte probleme me drejtësinë.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të ngjarjes së ndodhur më datë 04.02.2022, rreth orës 22:30, në vendin e quajtur “Kryqi”, në rrugën e vjetër Elbasan – Krrabë ku është djegur një automjet tip “Volkswagen” dhe në brendësi të automjetit ka qenë një person i pa jetë, ju informojmë se:

Në vendin e ngjarjes shkoi grupi hetimor i cili nisi kryerjen e veprimeve hetimore nën drejtimin e Prokurorëve të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për sqarimin e të gjitha rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e personit të pajetë.

Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se personi i pajetë ishte shtetasi Armand Mici, 32 vjeç, lindur e banues në Elbasan.

Gjithashtu nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, është mundësuar të dokumentohet se ky shtetas dyshohet nën efektin e depresionit ka blerë një sasi lënde djegëse benzinë në një pikë karburanti dhe ka realizuar vetëvrasjen nëpërmjet vetëdjegies në brendësi të automjetit të tij tip “Volkswagen Passat “me targa AA 273 NU.

Nga grupi hetimor vazhdon kryerja e veprimeve të mëtejshme hetimore për sqarimin e çdo rrethane që i shërben hetimit.