Kryesore Manja: Sanksione edhe ndaj financuesve të agresionit rus

Manja: Sanksione edhe ndaj financuesve të agresionit rus

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, është shprehur pas mbledhjes së qeverisë se është miratuar një rregullore e re e burgjeve.

“Vendimi i dytë ka të bëjë me miratimin e rregullores së përgjithshme të burgjeve. Dy vjet pas miratimit të paketës së ligjeve penitenciare sot kemi një rregullore të re për burgjet, i cili është një dokument i rëndësishëm që garanton, mirëfunksionimin e sistemit të burgjeve”, u shpreh Manja.

Ministri tha se ky vendim afron më shumë Shqipërinë me BE-në. Ndërkohë qeveria kaloi sot një vendim që ka të bëjë me miratimin e nivelit të pagave për rrjetin e koordinatorëve antikorrupsion në disa institucione shtetërore si dhe një vendim për kriteret dhe procedurat për përfitimin e trajtimit të veçantë për përkthyesit zyrtarë dhe interpretët e gjuhës së shenjave në Shqipëri.

Ministri u pyet edhe nëse në Shqipëri do të ketë ndonjë listë “non grata” me shtetas rusë që janë mbështetës të Presidentit rus Vladimir Putin.

“Në fakt është e vërtetë, Shqipëria është pjesë e grupit të shteteve që e kanë dënuar që në fillim agresionin rus në Ukrainë. Është një proces që po e udhëheq ministria e Punëve të Jashtme. Në nivelin horizontal po bashkëpunojmë të gjitha ministritë në këtë drejtim. Jemi në bashkëpunim të ngushtë edhe me partnerët tanë dhe aleatët tanë ndërkombëtarë që bëjnë pjesë në grupin e shteteve që jo vetëm e kanë dënuar, por edhe kanë pranuar vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Nëse do të kemi një listë të personave të shpallur si financues dhe mbështetës të agresionit rus në Ukrainë dhe të mbështetjes së Presidentit rus, patjetër që si qeveri do të respektojmë deri në fund angazhimin që kemi marrë përsipër”.