Politika Mbyllja e kolegjit turk, KiE: Vendimi i Shqipërisë, pas ndërhyrjes së Erdogan

Mbyllja e kolegjit turk, KiE: Vendimi i Shqipërisë, pas ndërhyrjes së Erdogan

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës ka reaguar për mbylljen e kolegjit turk dhe çerdhes në Tiranë. Në reagimin e Asamblesë së KiE, thuhet se ky vendim i autoriteteve shqiptare erdhi pas presionit të presidentit turk Rexhep Tajir Erdogan, ndërsa shpreh shqetësimin për Shqipërinë si vend kandidat në BE që vendoset politikisht nën presionin e jashtëm dhe i bën thirrje të respektojë shtetin e së drejtës.

“Më 22 shtator 2022, qeveria shqiptare anuloi dy institucione arsimore turke për shkak të një procedure të pretenduar zhvendosjeje. Kjo mbyllje u vlerësua nga juristët, akademikët dhe shoqëria civile si një vendim arbitrar i qeverisë shqiptare për shkak të presionit të autoriteteve turke. Për më shumë se shtatë vjet, politika e jashtme turke e bëri misionin e saj mbylljen e institucioneve arsimore të perceptuara si të sikletshme për qeverinë Erdogan. Presidenti turk përdori peshën e zyrës së tij për të kontaktuar autoritetet shqiptare, duke kërkuar mbylljen e shkollave të themeluara nga një grup i caktuar shtetasish turq, të cilët ishin në opozitë. Ne jemi të shqetësuar që Shqipëria, si vend kandidat për në BE, nuk respekton shtetin e së drejtës duke u vendosur politikisht nën presionin e jashtëm. Asambleja Parlamentare do ta ndjekë këtë rast dhe i bën thirrje Shqipërisë të respektojë shtetin e së drejtës”.

Kjo deklaratë e Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Europës vjen pak ditë pasi kryeministri Edi Rama shkoi në Strasburg, duke kërkuar mbështetje për të shfuqizuar rezolutën e Dick Marty-t.