Politika Meta: Nuk është momenti për ta shpërndarë parlamentin

Meta: Nuk është momenti për ta shpërndarë parlamentin

Ilir Meta u shpreh se nuk ka asnjë interes për ligjin që ka ndërmarrë mazhoranca për Presidentin e Republikës. Meta e konsideron ligjin e mazhorancës si përpjekje puçiste. Ai tha gjithashtu se në parlament ka tradhtarë dhe mercenarë.

“Kam zero interes për çdo draft apo përpjekje puçiste. Ju e dini që ky është një parlament jo kushtetues. Ju e dini që qytetarët më kërkojnë shpërndarjen e tij të menjëhershme. Është parlament puçistësh, por për fat të keq një pjesë e tyre janë tradhtarë dhe mercenarë”, tha Meta.

Kreu i shtetit u shpreh se qytetarët kërkojnë që të shpërndajë parlamentin, por për Metën nuk është momenti i duhur për ta bërë këtë gjë. Këtë përgjigje Meta e dha pasi u pyet edhe për gjendjen e grave naftëtare në Ballsh që qëndrojnë prej më shumë se 20 ditësh në grevë urie. Meta tha se korrupsioni është dimension i përditshëm i qeverisë.

“E vetmja zgjidhje që mund të bëhet është shpërndarja e qeverisë, e parlamentit, për këtë çështje sociale, por nuk mendoj se është ky momenti për t’i dhënë përgjigjen e merituar një qeverie çnjerëzore”, tha Meta.

Deputeti i mazhorancës, Adnor Shameti deklaroi këtë të premte se ligji për Presidentin është gati. Ai tha se  ligji nuk kufizon kompetencat e tij, por me të marrin fund të gjitha ngërçet artificiale.