Sport Milan barazon sërish, Interi vetëm një pikë larg

Milan barazon sërish, Interi vetëm një pikë larg

Inter mposhti Napolin me rezultatin minimal 1-0 në krye-ndeshjen e javës së 12 të kampionatit italian dhe regjistroi fitoren e 5-të radhazi, që mban zikaltrit në vendin e dytë të renditjes me 27 pikë, vetëm një më pak se Milani kryesues.

Sulmuesi belg Romelu Lukaku vendosi ndeshjen mbrëmjen e sotme, pasi ekzekutoi saktë një penallti të fituar nga Matteo Darmian në minutën e 71-të, ndërsa në të njëjtin moment Lorenzo Insigne la Napolin me 10 futbollistë, pasi u ndëshkua me karton të kuq për protesta.

Ndalet sërish Milani, këtë herë në transfertën ndaj Genoas, ku nuk shkoi dot më shumë se një barazim 2-2. Vendasit kaluan dy herë në avantazh me anë të sulmuesit Mattia Destro, ndërsa kuqezinjtë u kundërpërgjigjën fillimisht me Calabrian e më pas me mbrojtësin e ri Kalulu.

Ky ishte barazimi i dytë radhazi për Milanin, që në fundjavë do të luajë në transfertën e vështirë ndaj Sassuolos dhe që tashmë e sheh Interin vetëm një pikë mbrapa, ndërsa Pioli pret rikuperimin e Iberës dhe danezit Kjaer.

Bolonja e pa veten në disavantazh të dy golave në transfertën ndaj Spezias, por rihapi takimin me Dominguez dhe barazoi me Barrow në minutën e 92-të, ndërsa në të 96-ën ishte sërish ky I fundit që humbi një 11-metërsh, duke mos ia dalë të kompletojë një përmbysje të çmendur.

Në barazim pa gola përfundoi edhe sfida mes Parmës e Cagliarit, ndërsa Sampdoria bëri surprizën në “Bentegodi”, pasi triumfoi me rezultatin 1-2 përballë Veronës vendase dhe la pas krahëve momentin e vështirë që po kalonte prej javësh.

Duhet të presë ende për fitoren në kampionat edhe trajneri Cesare Prandelli, pasi Fiorentina nuk shkoi përtej barazimit 1-1 mbrëmjen e sotme me Sassuolon, ku golit të Traore iu kundërpërgjigj Vlahovic nga pika e penalltisë.

Atalanta rezultoi “kockë e fortë” për Juventusin në sfidën e zhvilluar në “Allianz Stadium” në kuadër të javës së 12-të të Serisë A, e cila u mbyll barazim 1-1. Skuadra e Gasperininit konfirmoi se jo rastësisht ka kaluar fazën e grupeve të Championsit dhe mbetet një rival i fortë për ekipet elitare në Itali.